Ligjet që na vonojnë për në dyert e Evropës

Maqedonia po ngec  në harmonizimin e legjislaturës së vendit me atë të BE-së si parakusht aderimi në këtë familje evropiane ndërsa dhe disa prej ligjeve janë “problematike” akuzojnë opozita dhe ekspertët  pak kohë para publikimit të raportit të ri të Komisionit Evropian për përpaimin e vendit. Por, nga ana tjetër, qeveria thotë se procesi po rrjedh me dinamikën e parashikuar.

Malinka Ristevska Jordanova, drejtoreshë e institutit për politikë evropiane thekson se tashmë është krijuar praktikë që ligjet evropiane të vonohen dhe të lihet hapësirë e vogël për debat demokratik.

“Rezultatet e hulumtimit tregojnë se tashmë kemi vendosur praktikë të keqe disa vite me radhë:  Me shumë ambicie dhe në afat të shkurtë të planifikohet miratimi i “ligjeve evropiane”, pa vlerësim real të implikimeve që i shkaktojnë. Kundrejt planifikimit ambicioz, “ligjet evropiane” sipas rregullit vonohen edhe atë në fazën e përgatitjes dhe procedurës qeveritare. Nuk lihet mjaft kohë për debat publik dhe për debat në Kuvend, ndërsa krijohet trysni e panevojshme në Kuvend” – thotë Ristevska Jordanova.

Po ndryshe nga Jordanova, në Qeveri, gjegjësisht nga Sekretariati për çështje evropiane thonë se gjerat po lëvizin sipas planit.

“Sa i përket harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të BE, ai po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë me Programin Nacional për Adaptimin së drejtës së BE-së. Të gjitha ministritë janë të angazhuara në këtë proces dhe detyrë e tyre është që të bëjnë harmonizimin e ligjeve në resoret e tyre me ato të BE-së dhe deri më tani gjërat kanë vajtur ashtu edhe siç ishin parashikuar” – thotë Teuta Arifi, Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane.

Ndërkaq Izet Zeqiri, deputet nga radhët e RDK-së opozitare, si arsye për ngecjen e dinamikës së harmonizimit, thekson joefikasitetin e ministrive.

“Dinamika e paraparë në bazë të planit aksional të Qeverisë nuk është duke ecur ashtu siç duhet. Ministritë nuk arrijnë që ato ligje ti dërgojnë në Kuvend dhe të vijnë në procedurë parlamentare. Kjo ngecje vjen si rezultat i joefikasitetit të ministrave, të cilët nuk arrijnë që ligjet me siglën evropiane të miratojnë në qeveri dhe të sillen në Kuvend” – thotë Zeqiri, i cili vëren se kjo ngecje do të pengon edhe afrimin e Republikës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Ai gjithashtu përmend një tjetër problem, atë të përshtatjes së këtyre ligjeve me kushtet e Republikës së Maqedonisë. Sipas tij, përshkrimi i ligjeve nga vende tjera evropiane, pa adaptim me kushtet reale dhe praktike, do të sjellë implikacione kur të fillojë implementimi i tyre.

“Shumica e ligjeve aspak nuk përshtaten me kushtet e Republikës së Maqedonisë. Ato drejtpërsëdrejti përshkruhen nga shtetet  e tjera evropiane dhe si të tilla propozohen. Kur do të vijë implementimi i tyre, ato duhet të pësojnë ndryshime në drejtim të funksionalizimit të atyre ligjeve dhe përshtatjen me kushtet e Republikës së Maqedonisë” – vëren Zeqiri.

Tregues për këtë ngecje është edhe fakti që Kodi Zgjedhor dhe Ligji për financimin e partive politike ende nuk janë dërguar në Kuvend, ndërsa duhet të sillen në shtator.

“Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor si dhe ai për financimin e partive politike janë përgatitur nga ana e Ministrisë së drejtësisë në bazë të rekomandimeve të dy grupeve punuese në suaza të Komitetit drejtues për reformën zgjedhore dhe janë dërguar për mendim në OSBE/ODIHR. Deri kah fundi i gushtit presim të marrim mendimin e tyre lidhur me ndryshimet e parapara” – thotë zëvendëskryeministrja Teuta Arifi.

I ngjashëm është edhe rasti me dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, për të cilin pritet mendim nga Këshilli i Evropës.

“Lidhur me dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, sipas marrëveshjes së arritur me SHGM si dhe me inkorporimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës, nga ana e Ministrisë së drejtësisë është përgatitur Propozim Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dekriminializim dhe i njëjti është dërguar përsëri për shqyrtim dhe mendim në Keshillin e Evropës” – thotë Arifi.

Por nga Instituti për politikë evropiane theksojnë se sjellja e këtyre ligjeve në Kuvend është vonuar, me çka i lihet hapësirë shumë e vogël Kuvendit për debat demokratik. Ndërsa për dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, qeveria teknikisht nuk vonohet, sepse as që ka dhënë datë konkrete se kur ky ligj do të miratohet! /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button