Aleanca Kuq e zi: Mos të preket kufiri shqiptar

Aleanca Kuqezi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, për projektin e gazsjellësit TAP, që mund të kërkojë zbatimin e marrëveshjes detare me Greqinë. 

Përmes një njoftimi për shtyp, Aleanca Kuqezi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave me Greqinë flet qartë. 

“Pakti detar me Greqinë është antikushtetues dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk negociohet. Panariti dhe Avramopulos të mos guxojnë të prekin kufijtë e Shqipërisë”, ka deklaruar AKZ. 

Grupimi politik i drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka paralajmëruar se nëse kjo ndodh, qeveritë e dy vendeve do të përballen me protesta masive të shqiptarëve. 

“Nuk shitet kufiri për projekte gazsjellëse e naftësjellëse. Vazhdon tradhtia kombëtare”, thuhet më tej në reagimin për shtyp të lëvizjes patriotike. 

Sipas tij, Greqia është mësuar të marrë peng fqinjët me haraçe dhe kryeministri Berisha nuk i ka shpëtuar dot këtij fenomeni. 

“Turp kombëtar që në 100-vjetorin e Pavarësisë po rinegociohet marrëveshja me Greqinë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp.  /TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button