Majko: MO ndërpreu shkatërrimin e Maqedonisë

Më 13 gusht është përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit i vitit 2001. Liderët maqedonas dhe shqiptarë në Maqedoni, me firmosjen e këtij Akti me garanci ndërkombëtare, shmangën një luftë tragjike që mund ta kishte shkatërruar vendin. Firmosja e Marrëveshjes së Ohrit shpëtoi jetë, pengoi shpërnguljen masive të banorëve dhe shmangu shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë.

Maqedonia do të ishte një hapësirë krejtësisht ndryshme po qe se udhëheqësit kombëtarë të maqedonasve dhe shqiptarëve nuk do të kishin zgjedhur të bënin kompromiset e nevojshme për të pranuar Marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit nuk është e përsosur. Negociatat nën kërcënimin e luftës rrallëherë janë të përsosura dhe zbatimi nuk është pa probleme. Lidershipi i Presidentit të ndjerë dhe mikut tim të paharruar, Boris Trajkovskit, ishte një nga faktorët kryesorë që ndryshoi trajektoren e vendit nga konflikti civil në drejtim të paqes. Arbën Xhaferi, me urtësinë e tij, po ashtu reflektoi besimin për të ardhmen. Nuk mund të imagjinohej një Maqedoni e qetë po të mos ishte transformimi nga Ali Ahmeti i formacioneve të UÇK-së në parti politike konstruktive dhe paqësore (sot BDI).

Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit dhe të rajonit. Ai është proces i dorës së parë për integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është një “përkufizim shterues” legal për të ndërtuar identitetin shumëetnik dhe multikulturor të Maqedonisë. Marrëveshja që në negociatë u shikua si platformë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në shtetin e Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit vërtetoi se “çështja e Ballkanit” mbetet një “çështje europiane” dhe pjesë e sovranitetit të politikës së jashtme./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button