Për 11 ditë 248 punëtorë janë ankuar se punëdhënësit nuk ua kanë dhënë rrogën e 13-të

Brenda 11 ditësh në Inspektoratin shtetëror të punës kanë arritur 248 ankesa për mos pagesë të regresit për pushim vjetor. Drejtori i Inspektoratit Alajdin Havziu thotë se inspektorët po bëjnë kontrolle të jashtëzakonshme dhe siguron se ata do të veprojnë lidhur me çdo ankese të parashtruar, njofton Portalb.mk.

“Deri më 11.1.2019 në të gjitha njësitë rajonale, duke përfshirë edhe drejtorinë, janë parashtruar 248 ankesa për pagesën e regresit për pushim vjetor. Ankesat tregojnë se diçka nuk është në rregull. Inspektorët e kanë për obligim që gjatë gjithë vitit të bëjnë kontrolle për të verifikuar nëse punëdhënësi ka paguar regres, ndërsa kjo tani është një invazion i ankesave për shkak se njerëzit mendojnë që  vetëm tani mund të bëhet kontrolli dhe pagesa, ndërsa  për K-15 ne flasim gjatë gjithë vitit. Kjo është pjesë e kontrolleve tona të rregullta. Kjo shifër prej 248 do të jetë shumë më e madhe për shkak se ne verifikojmë nëse ka regres të papaguar edhe gjatë kontrolleve të rregullta, deklaroi drejtori Havziu” për “Makfaks” dhe theksoi se numri i ankesave në Inspektorat është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ku do të konstatohet se regresi nuk është paguar inspektorët do t’i japin afat punëdhënësit të bëjë pagesën, dhe nëse ky nuk e kryen pagesën ngritët procedurë për kundërvajtje. Rezultatet e përgjithshme të kontrolleve të jashtëzakonshme nëpër kompani, drejtori Havziu i pret kah fundi i muajit të ardhshëm.

“Punojmë në vazhdimësi, të dhënat për këto ankesa do t’i kemi në fund të shkurtit, sepse deri atëherë duhet të përfundojnë kontrollet. Për momentin, nuk mund të themi saktësisht se sa ankesa janë përpunuar, por mund të them me siguri se do të procedohen të gjitha. Pas 15 shkurtit, do ta dimë për sa prej tyre janë marrë vendime për pagesë të regresit vjetor; nuk mund të merren vendime për 248 ankesa brenda një dite”, thotë drejtori Havziu.

Kontrollet e jashtëzakonshme janë duke realizuar 102 inspektorë nga 32 zyra rajonale dhe nga drejtoria në Shkup. Drejtori Havziu konsideron se ata, si inspektoratet e tjera, kanë mungesë të stafit, por thotë se ky fakt nuk është vendimtar për funksionimin e Inspektoratit.

“Edhe një mijë inspektorë të kemi, ndërsa nuk kemi vetëdije shoqërore, edhe ata do të jenë pak. Kemi mungesë të inspektorëve. Sipas planit kemi miratuar 10 punësime në 2019, por aq inspektorë do të dalin në pension gjatë vitit. Na mungojnë dhe do të na mungojnë inspektorë. Me më shumë inspektorë do ta shkurtojmë kohën nga paraqitja deri në realizim. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje për punësimet”, tha drejtori Havziu.

Për të lehtësuar procesin e kontrollit në kompani, Inspektorati shtetëror i punës dhe Këshilli i inspektimit po përgatisin “listë kontrolluese” me anë të cilës çdo punëdhënës vetë mund të bëjë inspektimin për dhjetë gjërat themelore që secila kompani duhet t’i ketë. Kur të vijnë inspektorët e Inspektoratit shtetëror të punës për inspektim, punëdhënësit mund të tregojnë listën e kompletuar dhe të ofrojnë dokumentacion që do ta konfirmojnë atë.

Pas ankesave për K15 të papaguara, të cilat janë më të shumta në këtë periudhë, në muajt tjerë të vitit, punonjësit kryesisht ankohen të Inspektorati shtetëror i punës për punën e papaguar jashtë orarit.

Javën e kaluar, qeveria e obligoi Inspektoratin shtetëror të punës të përgatitë informacion të hollësishëm për pagesën e regresit për pushimin vjetor dhe masat që janë ndërmarrë ndaj kompanive që nuk kanë paguar K15.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button