Paul Ryan, kandidati republikan për nënpresident

Kandidati republikan Mitt Romney ka bërë të ditur të zgjedhurin e tij për postin e nënpresidentit nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.  Zoti Romney njoftoi sot se Paul Ryan, ligjvënës nga Uiskonsin, do të jetë kandidati i tij për nënpresident.

Të dy ata do të marrin pjesë së bashku në një aktivitet fushate sot në Norfolk të Virxhinias. 42-vjeçari Ryan ka mbështetjen e shumë konservatorëve me ndikim. Ai është kryetar i Komisionit për Buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ka qenë një aktivist i fortë i përpjekjeve për reduktimin e deficitit duke shkurtuar buxhetin. 

Paul Ryan, vetëm 42 vjeç, është shumë i preferuar mes konservatorëve të çështjeve fiskale. Si kryetar i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, ai ka qënë në qendër të debateve lidhur me shkurtimin e shpenzimeve dhe reformën e programeve shoqërore.

“A doni një shoqëri në qendër të së cilës të jetë qeveria dhe një ekonomi shtetrore si dhe një sistem të kujdesit shëndetsor të administruar nga qeveria? Apo doni një shoqëri të mundësive amerikane me një rrjet sigurie, një ekonomi të lirë, liri ekonomike dhe liri personale?”

Kandidati republikan për president Mitt Romney e bëri njoftimin në shtetin e Virxhinias në bordin e luftanijes amerikane USS Wisconsin. Anija mban emrin e shtetit, që zoti Ryan përfaqëson në Dhomën e Përfaqësuesve dhe njoftimi bëhet në shtetin e Virxhinias, shtet tradicionalisht republikan, i cili në zgjedhjet presidenciale të 2008-tës votoi për presidentin Barak Obama.

Gara për Shtëpinë e Bardhë përcaktohet nga vetëm disa shtete dhe njëri prej tyre është Wisconsin. Mbetet për t’u parë nëse kandidatura e zotit Ryan mund ta kalojë këtë shtet tradicionalisht demokrat në kolonën republikane dhe nëse ky ndryshim pjesërisht t’i sigurojë fitoren Mitt Romnit. 

Ndërsa Paul Ryan gëzon shumë mbështetje mes republikanëve, demokratët shikojnë mjaft mundësi për ta sulmuar atë. Në mars të këtij viti, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi planin e buxhetit, ”Rruga drejt Begatisë”, i hartuar nga ligjvënësi Ryan, në bazë të të cilit do të shkurtoheshin shpenzimet qeveritare me triliona dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

Demokratët kanë kritikuar shkurtimet e debatueshme të përfshira në këtë projekt-ligj, si për shembull shkurtimet në programin ‘medicare’, i cili përfshin kujdesin shëndetsor për të moshuarit. Analistët thonë se demokratët do të fillojnë kritikat ndaj zotit Ryan, tani që Mitt Romney bëri njoftimin e tij të shumë pritur. /voa

Lajme të ngjashme

Back to top button