RDK: Menduh Thaçi patriot me bateri

Pas deklaratës së liderit të PDSH-së Menduh Thaçi se partia e Rufi Osmanit pas zgjedhjeve do të shkojë në histori i menjëhershme ka qenë reagimi i RDK.

“Marrëzirat e Meduh Thaçit i ka paguar dhe do vazhdojë t’i pagojë elektorati i PDSH-së me humbje deri në pafundësi. Kush i ndjek deklaratat e tij e ka të qartë se ai ç ‘thotë sot e harron nesër dhe ç’pohon pasnesër e mohon tjetërpasnesër. Marrëveshja e tij e paprinciptë me Branko Cërvenkovskin, pa marrë as edhe më të voglin premtim për mbështetjen e të ashtuquajturës ‘Marrëveshje politike’, me të cilën ai mashtronte shqiptarët, dhe qëndrimet e tij arrogante ndaj të tjerëve vetëm sa do i shtojnë edhe një humbje tjetër PDSH-së, në vargun e fitoreve të premtuar por të përfunduara me humbje” thotë për Portalb, Artan Dika.

Ai thekson se rezultati në zgjedhjet e fundit tregoi se vetëm opozita e bashkuar ka më shumë vota se BDI dhe mund ta mund BDI-në dhe sipas tij kjo ishte edhe arsyeja se pse RDK nënshkroi marrëveshje me PDSH-në, megjithë rezervat për personalitetin e njollosur të Menduh Thaçit. 

“Kjo marrëveshje i pat trembur zyrtarët e BDI-së, por qe prishur nga Z. Thaçi, për shkak të patriotizmit të tij me bateri. PDSH e vetme e ka të humbur Tetovën, për shkak të keqmenaxhimit 4-vjeçar të saj, ndërkohë që nuk ka aspak gjasa t’i fitojë komunat tjera. Unë përditë dëgjoj ankesat e aktivistëve të PDSH-së në Strugë, Dibër, Gostivar, Kumanovë, Çair, Saraj, Likovë e kudo tjetër, se nuk kanë asnjë stimul të kërkojnë mbështetjen e popullatës shqiptare, sepse e dijnë se raporti i votave BDI:PDSH ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë në dëm të PDSH-së dhe kjo ka për të mbetur kështu edhe në 327 vitet e ardhshme, duke vazhduar me humbje të pafundme nën udhëheqjen e Menduh Thaçit, si edhe gjithmonë deri më tani” thotë Dika.

Ai ka sqaruar se numri i pakët i shqiptarëve që e votuan Gjorge Ivanovin për president, pas thirrjes së BDI-së 3 vjet më parë, është treguesi më i mirë për elektoratin e PDSH-së se, numri i pakët i militantëve të LSDM-së që do ta votojnë kandidatin e PDSH-së, nuk do të mund ta shpëtojë Z. Thaçin nga humbja e radhës as në Tetovë. 

“Me këtë apati dhe mosdalje të elektoratit ku mezi dalin shqiptarët për të votuar shqiptarët, nuk kanë për të dal maqedonët për ta shpëtuar Menduh Thaçin, vetëm pse ai do kështu. 
Anketa e fundit e kompanisë ‘REJTING’ disa javë më parë, (ndryshe nga ato të porositurat nga VMRO me rezultate të montuara përmes ‘Pavel Shatev’), fliste për ngritje të mbështjetes së RDK-së me 2.6%, kundrejt 7.1% mbështetje për BDI-në dhe 4.6% për PDSH-në. Koalicioni i RDK-së me partitë tjera shqiptare ka gjasa reale të fitojë një numër komunash me peshë të banuara nga shqiptarët, ndërkohë që në pothuajse të gjitha komunat tjera votat e këtij koalicioni do të përcaktojnë se kush do të jetë fituesi dhe ky koalicion do të jetë pjesë e qeverisjes komunale, duke marre një pjesë më rëndësi të funksioneve në nivelin komunal” përfundon Dika.

Lajme të ngjashme

Back to top button