PROTESTAT E STUDENTËVE – MAJ ’68 – Pjesa e dytë

Lexo pjesën e parë: PROTESTAT E STUDENTËVE – MAJ ’68

Pikërisht kur ishte duke u qetësuar polemika rreth ’68-s dhe historianët përgatiteshin për ta marrë çështjen në duart e veta, në vitin 2007, në vlugun e fushatës presidenciale Nikola Sarkozi (1955-) deklaroi se kishte ardhur koha që “t’i jepej fund frymës së ’68-s dhe tërë trashëgimisë së saj në shoqërinë franceze, për arsye se trashëgimia e atyre ngjarjeve e shkatërroi shkollën e meritave, të respektit dhe të detyrave qytetare”. Sarkozi u përpoq ta thyejë këtë frymë të luftës për të drejta si dhe kultin e mosrespektimit të autoriteteve. Sipas tij, “trashëgimia e kësaj revolte e solli cinizmin në politikë dhe në shoqëri. Meqë s’ka më rregulla, vlera morale, respekt dhe as autoritet, çdokujt sot i lejohet çdo gjë”. Tendenca e Sarkozisë për të vendosur rend në shtet dhe në shoqëri, shpejt hasi në pengesa – u ballafaqua me greva dyjavore dhe me luftën për mbrojtjen e arritjeve sociale të fituara para dyzet vjetësh. Kjo tregon se shoqëria franceze nuk lejon ndërhyrje të pamatura ndaj revoltës më të famshme të shekullit XX.

Revolta e ’68-s është shpërthimi botëror i fundit i energjisë utopiste.              

*   *   *

Ngjarjet e “Pranverës franceze” rrodhën si më poshtë:

22 mars u mbajtën protesta për shkak të burgosjes së studentëve gjatë demonstratave kundër luftës në Vietnam. Studentët pushtuan ndërtesën administrative të universitetit në Nant. U formua lëvizja “22 Marsi” në krye me studentin e sociologjisë, 23-vjeçarin Daniel Kon-Bendit;

1 maj, për herë të parë pas 14 vitesh, me thirrjen e sindikatave dhe të Partisë Komuniste të Francës, organizatat e punëtorëve, me rastin e 1 Majit, defilojnë në shenjë proteste. Trockistëve, anarkistëve dhe maoistëve iu ndalua pjesëmarrja. Gjatë protestës ndodhën edhe incidente.

1 maj Daniel Kon-Bendit e organizon në Nant ditën “antiimperialiste”. Universiteti vazhdon të jetë i mbyllur.

3 maj, për t’i mbështetur studentët e Nantit, qindra studentë tubohen para Sorbonës. Me kërkesën e rektorit Zhan Rosh, ndërhyn policia dhe e mbron Sorbonën. Në Kuartin latin u arrestuan mbi 500 studentë. Për t’i shpërndarë studentët e tubuar, policia për herë të parë përdori gaz lotsjellës.

6 maj u mbajt demonstratë për t’u solidarizuar me studentët e arrestuar. Në Kuartin latin, midis studentëve dhe policisë pati konflikte të ashpra. Pasojat ishin: 945 të lënduar, 422 të arrestuar, Liderët e lëvizjes studentore u bëjnë thirrje studentëve që të tubohen çdo mbrëmje në orën 18.30.

7 maj 30.000 vetë defilojnë në shenjë proteste në Paris.

8 maj mbahet seancë në Parlamentin e Francës për të debatuar për situatën në Paris, derisa 25.000 studentë vazhdojnë të protestojnë. Sorbona vazhdon të mbetet e mbyllur.

9 maj e ndërpresin mësimin studentët e Tuluzit, të Nantit,të Lionit, ndërsa pas pak ditëve mësimi ndërpritet në të gjitha universitet e Francës. Në Dizhon dhe në Lion, lëvizjes studentore i bashkëngjiten edhe punëtorët.

10 maj u ngritën në Paris 60 barrikada. Studentët e pushtojnë Kuartin latin. Dështojnë përpjekjet për bisedime me qeverinë. Në orën dy pas mesnate, njësitë speciale të gardës republikane ndërmarrin sulm ndaj studentëve. Pasojat ishin: 720 të lënduar lehtë, 367 të lënduar rëndë, prej të cilëve 251 policë, ndërkaq 80 automjeteve iu vu flaka.

12 maj Kryeministri Zhorzh Pompidu (1911-1974) njofton nëpërmjet televizionit rihapjen e Sorbonës. Në ndërtesën e fakultetit, të pushtuar nga studentët në Strasburg valon flamuri i kuq.

13 maj mbahet greva e përgjithshme e punëtorëve dhe e studentëve në mbarë Francën. Sipas komunikatës së sindikatave, në Paris defilojnë 800.000 njerëz, ndërsa sipas burimeve të policisë, në protesta marrin pjesë 171.000 vetë. Në radhët e para të protestuesve ndodhen Fransua Miterani (1916-1996; president i Francës në vitet 1981-1995), Pjerë Mendes (Pierre Isaac Isidore Mendes, 1907-1982), Gi Mole, Veldek Roshe.

14 maj studentët e shpallën Sorbonën “komunë të lirë” ndërsa Nantin “fakultet autonom”. Punëtorët filluan t’i pushtojnë fabrikat, përfshi edhe fabrikën e Renosë në Kleon. Gjeneral Dë Goli udhëton për në Bukuresht.

15 maj vazhdon vala e pushtimit të fabrikave. Në Paris, 2500 studentë e marrin teatrin Odeon, drejtori i të cilit Zhan-Lui Baro i bashkëngjitet lëvizjes.

16 maj lëvizja i përfshin në radhët e veta të punësuarit e postës, të hekurudhës shtetërore dhe të qarkullimit urban.

17 maj sindikatat kërkojnë paga më të mëdha për punëtorët si dhe zvogëlimin e orarit të punës.

18 maj hidhen në grevë dy milionë njerëz. Dë Goli nga Bukureshti kthehet në Paris 24 orë më herët se që ishte e planifikuar.

20 maj hidhen në grevë katër milionë prej gjashtë milionë francezëve, ndërsa të punësuarit e radio-televizionit protestojnë kundër kontrollit të mediumeve nga pushteti.

21 maj hidhen në grevë tetë milionë prej dhjetë milionë njerëzve. Bie vlera e frangës franceze, ndërsa kapitali mbartet në Zvicër. Parisi mbetet pa qarkullim publik dhe pa shërbime komunale, postat nuk punojnë, ka edhe mungesë të lëndës djegëse.

22 maj njëri prej liderëve të lëvizjes studentore Daniel Kon-Bendit, i cili kishte shtetësi gjermane, u dëbua nga Franca dhe iu ndalua kthimi.

24 maj vazhduan protestat në përkrahje të Daniel Kon-Benditit. Në trazirat e Lionit humbi jetën një polic, në Paris ndërkaq iu vu flaka ndërtesës së bursës. Një person humbi jetën.

27 maj u mbajt një tubim i madh në stadiumin Sharleti.

28 maj jep dorëheqje ministri i Arsimit Alen Pejrfit. Përkundër ndalimit, Daniel Kon-Bendit rikthehet në Francë.

30 maj Presidenti Dë Gol e shpërndan Parlamentin e Francës. Në manifestimet para pallatit Champs-Elysses marrin pjesë një milion ithtarë të Dë Golit.

Prej 1 deri në 25 qershor grevistët shkallë-shkallë kthehen në vendet e punës. Konfliktet me policinë nuk kanë të pushuar. Në fabrikën e Pezhosë në Sosho u vranë dy punëtorë.

23 dhe më 30 qershor mbahen zgjedhjet parlamentare. Shumica dërmuese e pjesëmarrësve në votim, përkatësisht 79%, votojnë për të djathtën. Prej tyre, 59% për Dë Golin.

*   *   *

Njëri prej udhëheqësve të protestave studentore të ’68-s ishte Daniel Mark Kohn-Bendit, i lindur më 4.4.1945 nga prindër çifutë, babai nga Gjermania i cili u kishte shpëtuar nazistëve, ndërsa e ëma nga Franca. Njihej me nofkën Deni i Kuq (Danny le Rouge). Ishte flokëkuq, shtatshkurtër, anarkist dhe kundërshtar i rreptë i çfarëdo autoriteti, i hierarkisë dhe i represionit. Sipas tij, arsimi universitar në Francë është konceptuar si një fabrikë që ka për qëllim të krijojë fuqi teknike për shoqërinë e industrializuar. Më 1981 pushon të jetë anarkist. Më 1986 boton librin “Ne të cilët aq shumë e deshëm revolucionin”. Tani, zyrtarisht heq dorë nga perspektiva revolucionare.

Më vonë, disa veprimtarë të ’68-s i ndryshuan sferat e interesit dhe lëmenjtë e veprimtarive. Një prej tyre ishte edhe Kon-Bendit. Në vitet 1994-2009 ai është deputet në Parlamentin Evropian, si përfaqësues i ekologjistëve, herë gjermanë e herë francezë.

Më 1999 mbështeti ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.

*   *   *

Protestave në Berlin u priu lideri prominent i lëvizjes studentore gjermane të viteve ’60 – Rudi Duçke (Alfred Willi Rudolf “Rudi” Dutschke,  1940-1979). Ishte gjerman i Gjermanisë Lindore, bir i një nëpunësi të postës. Refuzoi të shërbente në Armatën popullore të RDGJ-së (Gjermanisë Lindore) dhe doli kundër militarizmit dhe ndikimit “të vëllait të madh” – BRSS-së. Nuk kishte mendim të mirë as për ShBA-në. Duke qenë kundërshtar i regjimit, iu ndalua regjistrimi në universitet. Më 10 gusht 1961 ikën në Gjermaninë Perëndimore. Në Universitetin e Lirë të Berlinit studioi sociologjinë, filozofinë dhe shkencat shoqërore. Ndikim të fuqishëm mbi studentët gjermanë ushtroi Shkolla e Frankfurtit, përkatësisht filozofët dhe sociologët Herbert Markuze, Teodor Adorno, Maks Horkhajmer, veprat e Sartrit, të Hajdegerit etj.

Më 1965 iu bashkëngjit Lëvizjes socialiste të studentëve e cila i udhëhoqi lëvizjet studentore në vitet vijuese. Ishte i krishterë dhe pacifist, shkruante për problemet e botës së tretë dhe kritikonte kapitalizmin. Midis studentëve kishte edhe përçarje. Ata që nuk i mikloheshin Moskës etiketoheshin si anarkistë apo si romantikë. Lideri i protestave studentore gjermane – Duçke, nuk ishte për BRSS-në  dhe nuk i besonte komunizmit sovjetik. Shumë studentë të asaj kohe nuk e donin as sundimin sovjetik, as kapitalizmin “imperialist”. Në thelb, ata kërkonin një jetë më të mirë dhe një shoqëri më të drejtë.

Ky prijës karizmatik i revoltës në Berlin ishte luftëtar kundër nazizmit, njeri që e thoshte atë që e mendonte dhe që dëshironte ta thoshte gjenerata. Brezi i ri kërkonte ndryshime në shoqërinë gjermane. Në emër të Lidhjes socialiste të studentëve të Gjermanisë, Duçke i paraqiti të metat e kulturës gjermane: reformat jodemokratike që u ishin imponuar universiteteve dhe shoqërisë dhe hipokrizinë e ish-nazistëve, të cilët, 20 vjet pas Luftës së dytë Botërore,  përsëri ndodheshin në pozita të forta të qeverisë. E kritikoi ashpër organizimin e shoqërisë, duke konsideruar se nga struktura ekonomike dhe sociale ekzistuese përfiton vetëm një numër i vogël njerëzish.

Duçke dhe studentët gjermanë pyetnin: Ç’popull është ky, i ndarë, pa identitet, i fuqishëm, por shpirtërisht gjithnjë më i varfër?! Rinia studentore gjermane nuk donte të jetojë në një shtet të tillë.

Ka shumë që mendojnë se lëvizja e ’68-s gjermane ka qenë e suksesshme dhe se ka ndikuar fuqimisht në reformat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Gjermanisë. Trazirat studentore nuk kaluan pa viktima. Gjatë protestave në Berlin, në qershor të vitit 1967 policia vrau studentin Ben Onezorg. Dhuna s’kishte të ndalur. Kishte të tillë që shkruanin nëpër mure: “Ngulfateni Duçken me gaz”!  “Duçke, armiku numër një i shtetit”! Më 11 prill 1968 neonazisti Jozef Bahman, liderin e lëvizjes studentore gjermane e qëlloi me tre plumba – dy në kokë dhe një në shpatull. Duçke mbijetoi, por me pasoja të rënda. Pas tentimit të vrasjes, atentatori neonazist deklaroi: “Më vjen shumë keq që s’pata një pushkë automatike, për ta sharruar këtë derr të ndyrë komunist”.

Me gruan Grethen Duçke-Kloc dhe me dy fëmijët, Duçke u vendos në Itali, më pas në Angli. Në vitet 1971-1979, bashkë me familjen jetoi në Danimarkë. Kishte sulme epileptike të rregullta, njësoj si autori i “Krimit dhe ndëshkimit”Fjodor Mihalloviç Dostojevski (1821-1881). Sulmi epileptik fatal ndodhi në natën e Krishtlindjeve më 1979. Prijësi prominent vdiq. Ishte vetëm 39 vjeç.

Ikona e ’68-s gjermane, dalëngadalë nisi të shkojë në harresë. Disa ende krenohen me të, por ka të tillë që ndjehen të lumtur se është harruar.

*   *   *

Të rinjtë e sotëm janë larg idealeve apo kritikës së sistemit politik. Ata sot synojnë individualizmin dhe jo grupin.

Themeluesi i Institutit për hulumtimin e kulturës së të rinjve, në Hamburg – Bernhard Hajnclmajer thotë: “Të jemi të lumtur për secilën ditë që e kalojmë, në të cilën politika nuk është në qendër të vëmendjes së njerëzve”.

Por, askush nuk do të merrej me politikë, sikur politika të mos merrej me ne. Sot, pothuajse askush nuk çanë kokën se ndokush mezi e lidh fillimin e muajit me fundin e tij.

Shkrimtari dhe filozofi belg Raul Vaneigem (Raoul Vaneihem ose Vanegem, 1934-) në librin Revolucioni i jetës së përditshme” (The Revolution of Every day Life)Traité de savoir-vivre a l’usage des jeunes générations, të botuar më 1967 thotë: “Veprimi i ditëpërditshëm është bari më i mirë kundër sëmundjeve të shoqërisë së spektaklit.

Raul Vaneigem ishte situasionist belg, d.m.th. anëtar i Internacioneles Situasioniste (L’Internationale situationniste / The Situationist international) të themeluar në një konferencë të mbajtur në Itali në vitin 1957.

Ndërsa autori i librit “Shoqëria e spektaklit” (La Société du spectacle ose The Society of the Spectacle, 1967) – teoticieni francez i filozofisë marksiste Gy Debord (Guy Debord, 1931-) thotë: “Spektakli manifestohet nëpërmjet sistemeve të komunikimit, mediumeve, qendrave tregtare dhe formave të tjera të teknologjisë moderne të cilat e bëjnë njeriun vëzhgues pasiv, pa ndjenja, pa dashuri dhe pa kënaqësi. Me fjalë të tjera, tjetërsimi fshihet edhe në jetën e përditshme. Shoqëria e spektaklit dhe rehatia konsumuese duhet të eliminohen për arsye se veprimin e zëvendësojnë me pasivitetin, të menduarit me topitjen, të jetuarit me materializmin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button