(Përditësim) – Gabon, parandalohet grusht shteti ushtarak (VIDEO)
Ushtarët që tentuan të kryejnë grusht shteti në orët e mëngjesit në Gabon janë arrestuar, njoftoi qeveria e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ushtarët kryengritës që pushtuan Radion Kombëtare dhe lexuan komunikatë janë kapur nga ana e Njësisë së Intervenimit të Xhandarmërisë Nacionale të Gabonit (GIGN), njoftoi në një prononcim për mediat Guy-Bertran Mapangou, zëdhënës i qeverisë dhe ministër i Komunikimit.
Mapangou tha se situata është marrë nën kontroll dhe se brenda disa orëve, çdo gjë do të kthehet ashtu siç ka qenë.
Ndryshe, disa ushtarë në orën 4:30 të mëngjesit morrën nën kontroll radion kombëtare dhe lexuan komunikatë, duke paralajmëruar krijimin e një organi nën emrin “Këshilli Kombëtar i Restaurimit”.
Lëvizja i udhëhequr nga togeri Kelly Ondo Obiang, që u vetëquajt si “Fronti Atdhedashës i Forcave të Mbrojtjes dhe Sigurisë”, gjatë leximit të komunikatës e cilësoi si dëshpërues mesazhin e Vitit të Ri të presidentit Ali Bongo, i cili ende gjendet për trajtim shëndetësor në Marok, duke shtuar se presidenti nuk është në gjendje t’i kryejë përgjegjësitë e tij.
Bongo nga 29 nëntori gjendet për trajtim në Marok me ftesë të mbretit maroken Muhammedi i Gjashtë, pasi pësoi një paralizë më 24 tetor teksa ndodhej në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në “Konferenën Iniciativa për Investim në të Ardhmen”.
Bongo u lirua nga spitali më 6 dhjetor dhe që atëherë vazhdon të qëndrojë në Rabat, prej ku transmetoi një video-mesazh me rastin e Vitit të Ri.
Në videon e publikuar Bongo shihet se nuk mund të lëvizë dorën e tij dhe thekson se së shpejti do të kthehet pasi gjendja e tij është duke u përmirësuar.
Presidenti Ali Bongo ka udhëhequr Gabonin nga tetori i vitit 2009.
LEXO: Trumpi ka dërguar trupa në Gabon