Autostrada Shkup-Bllacë: Kosova e shkeli edhe një afat, Maqedonia në mesin e janarit do t’i fillojë aktivitetet

Qeveria e Kosovës e ka shkelur edhe një afat për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, e cila edhe pse u paralajmërua se do të përfundojë më 31 dhjetor, nuk u bë. E njëjta pritet të lidhet me autostradën Shkup-Bllacë, aktivitet e së cilës, pas 4 vjetësh vonesë, do të nisin në mesin e janarit, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se tenderi i parë për 1.9 kilometrat e parë të autostradës Shkup-Bllacë do të hapet në mesin e muajit janar.

“Publikimin e tenderit e presim gjatë mesit të janarit, për fazën e parë për 1.9 kilometra. Kemi vendosur të shkojmë në ndërtim dy fazash, që të kursejmë kohë, kurse të kemi edhe aktivitet ekonomik menjëherë. Pjesa tjetër prej 10.4 do të jetë, ku deri në maj duhet ta kompletojmë dokumentacionin”, tha Zaev.

Ai shtoi se shuma e projektit do të arrijë vlerën prej 120 milionë euro, por përllogaritja përfundimtare do të jetë sipas tenderëve përfundimtar.

Rëndësia e ndërtimit të kësaj atustrade, siç theksoi edhe vetë kryeministri Zaev, lidhet me rritjen e ekonomisë tregtare Maqedoni-Kosovë, e cila në vitin 2011 ka qenë “gati 420 milionë euro, kurse në vitin 2016 rreth 212 milionë euro”.

Përndryshe, në shtator të 2015-s, ish-ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri u shpreh se: “Prej Prishtinës do të ketë autostradë e cila do të ndërtohet deri në vendkalimin Bllacë dhe gjithashtu ne në Maqedoni veç kemi përgatitur deri në fund të vitit do të duhet të përfundon projekti se sa do të kushtojë rruga Shkup-Bllacë dhe kështu do të lidhemi me Shqipërinë,” u shpreh Neziri, projekt ky që u premtua nga Bashkimi Demokratik për Integrim që në mars të 2014-s.

Ndryshe, Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe me të cilën duhet të lidhet edhe autostrada Shkup-Bllacë kap shumën e rreth 600 milionë euro dhe po ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash. Momentalisht përmes aksit rrugor Kosovë-Maqedoni brenda ditës kalojnë mbi 5000 automjete ndërkaq, importi i mallrave nga Maqedonia në Kosovë në vitin e kaluar ka qenë mbi 150 milionë euro, ndërsa, eksporti nga Kosova në Maqedoni ka qenë mbi 35 milionë euro. Kjo atuostradë shihet edhe si alternativë e vetme e lidhjes së Maqedonisë me autostradën Rruga e Arbrit që lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button