Vijnë kurbetqarët!

Në një gjendje të këtillë ngazëllimi dola në obor. Duke hapur derën  u dëgjua zëri i një nëne “Po ku je bre bir?

Heshtje! Funddhjetor, sapo ka filluar dimri. Po shikoja në drejtim të Sharit. Nuk e di, po sodisja natyrën e mëngjesit. Papritmas, një veturë me regjistrim të huaj u ndal përpara horizontit tim, më shpërqëndroj prej një pike shumë të bukur – pejsazh i egër. Po, po, ishin fqinjët e mi, po dilnin prej sajë – të buzëqeshur! Eh, sa të gëzuar që ishin! Duke i shikuar, më erdhën shumë mendime nëpër kokë – u gëzova edhe unë.

I ngujuar në këtë atmosferë, dëgjova vajzën, e cila duke vrapuar shkallëve teposhtë, po thëriste: “Nënë, nënë, më lajmëruan se po vjen daja”. Shoqja, nga gëzimi, haroi përse ishte në kuzhinë!  E dëgjova, belbëzoi diçka lehtë, nuk munda t’ia deshifroj mendimin!

Në një gjendje të këtillë ngazëllimi dola në obor. Duke hapur derën  u dëgjua zëri i një nëne “Po ku je bre bir? Eh, sa shumë më gëzove! A je mirë? A erdhe shëndosh? Të gjithë po shëndoheshim, të gjithë!

Sikur më shtrëngonte diçka në gjoks, nuk isha i qetë, nuk e di…ankth! Vendosa të dal në kafenenë e mëhallës. Kjo, nuk ishte si herave tjera.  Ishte më e stolisur, më e bukur, por besa edhe më e mbushur. Struktura e  bisedës dallonte prej ditëve të tjera. Temat ishin më prekëse, më të ngrohta, …, më të dashura. Sikur fillova të relaksohem.

Derisa po rrinim, një shok m’u lut që të dalim pak nëpër qytet – pranova! Po, po, vërehej se kishin filluar të vijnë kurbetqarët. Nëpër rrugë, krahas veturave të vendit, gjithnjë e më të pranishme ishin ato me tabela gjermane, zvicerane, austriake, italiane,… , ato të vendeve skandinave – kolorit i hatashëm!

Në ndonjërën prej këtyre veturave, nga xhamat pak të hapur, dëgjohej ndonjë këngë me motive patriotike, në ndonjë tjetër, ndonjë me motive dasme,… diku ndonjë “tallava”, por megjithate tingëllonte bukur.

Kalimthi dëgjoheshin fjalë si:  “A paskeni ardhur”, “ Ato tjerët si janë”, “Me se erdhët”  “A do të rini ndopak”, “Vetë apo me fëmijët” … “A kishit probleme rrugës?

Njerëz të buzëqeshur vëreheshin nëpër pijetore, kafene, restorane, dyqane, butiqe. Të tillë ishin edhe ata të cilët bredhnin tregjeve dhe qendrave tregtare. Nuk ishin të paktë edhe ata të cilët hynin nëpër këmbimore, posta, banka … agjenci të ndryshme. Jetë!

Vërtetë atmosferë e bukur. Po, po, kurbetqarët janë të tillë, janë të drejtë, janë të çiltër! Ata zbukurojnë gjithçka. Ata i zbukuruan familjet, shtëpitë, mëhallat, …i mbushën sofrat! Tashmë, edhe qyteti i katandisur, frymonte gëzueshëm! Krenohej edhe ai me qytetarët e vet! Kishte kohë që nuk i kishte pasur afër vetes. Këta, tani kishin ardhur, dhe ai po gëzohej i tëri.

Dikur vonë, u ktheva në shtëpi! Fizikisht isha i raskapitur, por shumë i qetë shpirtërisht! I mbështetur në një skaj të divanit, kisha filluar të kotem, diçka e çuditshme më përshkoi trupin,  m’u përhi  se po iknin kurbetqarët! Në këtë siklet ndëgjova vajzën!

Babi, a do të shkojmë, se po na presin? Dajallarët kanë ardhur!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button