Në ditën e dasmës prangoset shqiptari, vodhi 11 mijë euro

Ishte përgatitur për të vendosur unazën e martesës, por përfundon me pranga në duar. Kjo është historia e 29-vjeçarit Milaim Metalia, i cili në ditën më të rëndësishme të jetës së tij është arrestuar nga Policia e Tiranës me akuzën e vjedhjes, së bashku me dy persona të tjerë. 

Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë të ditur se bashkë me Metalian janë arrestuar dhe Dritan Rexhaj e Ali Kastrati, të cilët dyshohet se janë autor të vjedhjes së një kasaforte, brenda të cilës gjendeshin 11 mijë euro. 

Grabitja është regjistruar pranë rrugës “Siri Kodra”, kur tre personat dyshohet se kanë grabitur kasafortën e një magazine me materiale ndërtimi. 

29-vjeçari Milaim Metalia ishte përgatitur dhe po bëhej gati për të nisur dasmën, por në vend të krushqve, është përballur me forcat e policisë, të cilat e kanë arrestuar këtë të fundit. Arrestimi i tij është bërë në afërsi të mbikalimit të Kamzës, ku ishte dhe banesa e 29-vjeçarit. 

Të gjithë familjarët kanë mbetur të shokuar nga ngjarja dhe kanë kundërshtuar arrestimin e 29-vjeçarit, por efektivët e policisë menjëherë pas prangosjes kanë bërë të mundur transportimin e tij për në ambientet e Policisë. 

Ndërkaq, në pranga kanë rënë dhe dy miqtë e tij, Dritan Rexhaj 28 vjeç dhe Ali Kastrati 24 vjeç. / albeu.com

Lajme të ngjashme

Back to top button