Shqipëri, Berisha: Opozita bllokoi ndërtimin e rrugës Levan-Tepelenë

Gjatë inaugurimit të kilometrave të para të superstradës Levan-Tepelenë, shefi i qeverisë akuzoi opozitën se ka bllokuar ndërtimin e kësaj rruge në Parlament. 

“Ata nuk votuan në Parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Ata nuk votuan sepse donin të bllokonin përfundim e saj para zgjedhjeve. Zoti Rama donte me çdo kusht që të shkonte në Vlorë me rrugën e vjetër. Kishin problemin që ne të mos i inagurojmë rrugët para zgjedhjeve por ne do të vazhdojmë në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin e rrugëve. Jo bllokimi, por zhvillimi ajo që kanë nevojë jetike shqiptarët dhe brezat e këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë”, tha Berisha.

Superstrada Levan – Tepelenë është pjesë e korridorit Veri – Jug dhe ka një gjatësi totale prej 70 kilometra dhe vlerë 70 milionë euro.

Berisha përuroi sot përfundimin e punimeve në segmentin prej 38 kilometrash Levan-Damës, që e shkurton distancën me qytetet e jugut në më shumë se një orë.

“Mendoj se për turizmin shqiptar në jug, ky është shërbimi më i madh. Kjo qeveri do të bëjë gjithcka që të asfaltojë rrugët në të gjithë vendin”, tha Berisha. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button