Rufi Osmani: Jo koalicion me vazalët e VMRO-së dhe LSDM-së

Në një konferencë për shtyp, Rilindja Demokratike Kombëtare vlerësoi punën njëvjeçare të qeverisë VMRO – BDI. RDK e konsideron njëvjetorin e qeverisjes VMRO – BDI si një qeverisje e dështuar në realizimin e objektivave kryesore të vendit në plan të brendshëm dhe atë të jashtëm.

“Tashmë është bërë praktikë në të dy qeverisjet VMRO – BDI që vetëm në disa ditët e para të merret me trajtimin e disa të drejtave minore për shqiptarët, dhe pastaj mandate 3 apo 4 vjeçar të përqëndrohet në çështjet me interes vetëm për VMRO-në” – tha Artan Dika, zëdhënës i kësaj partie.

Dika numroi disa nga siç tha, dështimet e BDI-së për këtë vit të qeverisjes.

“Disa nga dështimet kryesore të këtij një viti identifikohen me mosmarrjen e asnjë posti me peshë, asnjë ministrie me rëndësi të veçantë, dhe asnjë prej drejtorive kryesore, devalvimi i Ligjit për gjuhët e bashkësive etnike, dështimi i regjistrimit, talljen me Ligjin për ish luftarët e UÇK-së, keqpërdorimi i organeve policore në aksionin policor Monstra dhe mos fillimi i gjykimit edhe pas 5 muajsh të policit vrasës të dy shqiptarëve në Gostivar. Dështimin e organeve të rendit në mbrojtjen e qytetarëve, vazhdimin e përdorimit të librave fyese për shqiptarët, finansimin e manifestimeve kulturore dhe sportive vetëm të etnisë maqedonase, miratimin e ligjit për flamujt e bashkësive etnike me të cilin flamuri shqiptar është më i vogël se ai maqedonas, mos respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, koncentrimin e investimeve të huaja në zonat e banuara nga joshqiptarë etj” – tha Dika.

Sa i përket zgjedhjeve lokale të vitit 2013, RDK paralajmëroi se nuk do të bëjë koalicion as me BDI-në e as me PDSH-në, pasi ata i konsideron si “armiq politikë dhe vazalë të VMRO-së, gjegjësisht LSDM-s”.

“Në zgjedhjet lokale të marsit të vitit 2013, RDK do të garojë si pjesë e koalicionit me DR-në, BDSH-në dhe subjekte të tjera politike dhe jopolitike në bllokun shqiptar, me të cilat do të arrijë marrëveshje elektorale. Kandidaturat e ketij bloku opozitar do të jen konkurent shumë serioz për fitore në Gostivar, Tetovë, Strugë, Dibër dhe në komuna të tjera rurale me shumicë shqiptare” – tha kryetari i RDK-së Rufi Osmani.

RDK paralajmëron kandidatë të fortë nëpër komunat me shumicë shqiptare. Sa i përket komunave ku gara do të jetë etnike, si Struga e Kërçova, Osmani vlerëson se rasti i Strugës dallon nga rasti i Kërçovës dhe se në këtë komunë RDK do të del me kandidat, ndërsa në komunën e Kërçovës do të mbështesin kandidatin shqiptar./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button