Qeveria shantazhon deputetin Izet Zeqiri

Deputeti nga radhët e opozitares RDK, Izet Zeqiri ka akuzuar Qeverinë se përmes Komisionit për parandalimin e korrupsionit, po i bën presion politik vetëm pse i takon opozitës. Ai këto akuza, transmeton gazeta Koha,  i ka bërë pasi që kishte marrë një letër nga Antikorrupsioni, ku i kërkohet që në një afat prej 15 ditësh, të jep dorëheqje nga njëri prej dy funksioneve që mban për momentin: të deputetit në Parlament ose të ligjëruesit në UEJL dhe në afatin e njëjtë, ta njoftojë Komisionin për vendimin e tij.

Të pabazë e ka vlerësuar kërkesën Zeqiri sepse sipas tij, angazhimi në universitet është part-time, gjegjësisht jo me orar të plotë të ligjërimit dhe në këtë situatë, nuk ka konflikt interesi.

“Mendoj se këto presione janë shtuar pas shqyrtimit të raportit të Antikorrupsionit në Parlament, ku unë kam qenë me kritika më i zëshëm, pasi Antikorrupsionit nuk e bën punën që duhet dhe se ky Komision, më shumë merret me opozitën sesa me institucionet, të cilat kanë shkelje. Mjafton të analizohen raportet e Revizorit shtetëror në institucione dhe aty Antikorrupsioni do të ketë shumë më shumë punë sesa të merret me mua si deputet shqiptar i opozitës në Parlament”, thotë Zeqiri për gazetën Koha, sipas të cilit, bëhet fjalë për një presion politik dhe qasje selektive.

“Në Qeveri dhe Parlament ka shumë funksionarë të tjerë, të cilët sipas logjikës së Antikorrupsionit, duhet të jenë në konflikt interesi.në të njëjtën pozitë, në të njëjtin universitet është ligjëruese edhe zëvendëskryeministrja Tetua Arifi, bile ajo në mënyrë permanente ka ligjëruar edhe kur ka qenë deputete. Në të njëjtën situatë është edhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi” ka thënë Zeqiri. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button