Kosova ngushëllon SHBA-në dhe botën për vdekjen e Bushit, i përkujtohet “vija e kuqe”

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i pikëlluar për vdekjen e presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George H.W Bush.

“Kosova sapo humbi një mik të madh e ShBA-të një patriot të devotshëm. Bush gjithë jetën e tij e dedikoi në shërbim të popullit amerikan dhe paqes në botë”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit tutje ka thënë se presidenti Bush do të mbahet në mend për denoncim direkt ndaj represionit dhe terrorit serb ne Kosovë, transmeton Koha.net.

“Ai do te mbahet në mend për “mesazhin e Krishtlindjeve” drejtuar presidentit serb në vitin 1992, me të cilin vendos vijën e kuqe për luftë në Kosovë duke e mbrojtur popullin tonë nga tendenca dhe kërcënimi për shfarosje nga regjimi i Millosheviqit në atë kohë”, ka shkruar ai.

“Prehu në paqe, njeriu i Kosovës. Do të kujtojmë gjithmonë”, përfundoi Haradinaj.


Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka i ka shprehur ngushëllime popullit amerikan për humbjen e ish presidentit George H.W Bush.

Limaj ka thënë se qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë me popullin amerikan për këtë humbje. Limaj ka thënë se bota ka humbur një burrështetas me vlera të mëdha, dhe se shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë kontributin e familjes Bush.

“Me keqardhje mora lajmin për vdekjen e ish-presidentit amerikan, George H.W Bush. Qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë me popullin amerikan për vdekjen e presidentit Bush. Bota nga sot humbi një burrështetas me vlera të mëdha. Shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë kontributin e familjes Bush dhe do t’i jenë përherë mirënjohës për ndihmën dhënë Kosovës në etapa të ndryshme”, ka shkruar Limaj. “Ngushëllime popullit amerikan dhe familjes së presidentit Bush”.


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, u ka shprehur ngushëllime familjes dhe gjithë popullit amerikan për vdekjen e ish-presidentit George H.W. Bush.

“Ndahet nga jeta Presidenti Bush, te cilit populli i Kosovës i është përjetë mirënjohës për vijën e kuqe qe i vendosi Serbisë me 1992 lidhur me ndërhyrjen te forcave serbe ne Kosove. Ndërkaq, Bushi i riu me 2007 pati deklaruar ne Tirane se “Mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur”, ka shkruar Hoti.

Hoti tutje ka thënë se është e përjetshme miqësia e Kosovës me popullin amerikan.

“T’i ruajmë këto vija te kuqe, te cilat tash po tentohet te shkelen”, përfundoi ai.


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime popullit amerikan, në emër të qytetarëve të Kosovës për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush.

“SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe”, ka shkruar ai në Facebook.


Thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, është shprehur Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës.

“Populli i Kosovës do ta kujtojë përgjithmonë, me mirënjohjen më të thellë për angazhimin e tij në mbrojtje dhe mbështetje të Kosovës. Mesazhi i tij i Krishtlindjeve ku paralajmëron Millosheviqin se Kosova dhe kosovarët janë vijë e kuqe për SHBA-në, do të mbetet gurthemeli i politikës amerikane në Ballkan, që shërbeu si pikë kthese për presidentin Bill Clinton në marrjen e vendimit për intervenimin ushtarak për ta ndalur fushatën e Serbisë për spastrim etnik në Kosovë. Ngushëllime familjes Bush dhe popullit amerikan për humbjen e një patrioti të pashembullt”, ka shkruar Hoxhaj.


Ministri i Punëvë të jashtme i Kosovës Behgjet Pacolli e ka quajtur lajm thellësisht pikëllues për secilin, vdekjen e ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush.

“Secili nga ne e kujton Presidentin Bush si njeriun që i ktheu shpresën dhe besimin shqiptarëve të Kosovës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse jo e gjithë bota demokratike, ishte vendosmërisht në krahun tonë. Pas çmendurive dhe aventurave kriminale në Slloveni, Kroaci, BeH, më 1992 Bush i vendosi vijën e kuqe Serbisë, duke i tërhequr vërejejten se prekja e vijës së kuqe, Kosovës do të shënoj fundin e asaj ndërmarrje industriale kriminale të saj në hapësirat e ish Jugosllavisë. Përmendja e vijës së kuqe ishte inkurajim që ne të vazhdojmë drejt lirisë dhe pavarësisë. Secili prej nesh në Kosovë, ndjehet thellësisht i pikëlluar që sot Shtetet e Bashkuara humbën Presidentin e traditës së sakrificës dhe shërbimit ndaj atdheut dhe botës së lirë”, ka shkruar Pacolli përmes rrjetit social Facebook.

Ai tutje ka vlerësuar se pak kush në historinë madhështore të SHBA-ve sikurse Presidenti Xhorxh Bush, ka pasur nderin dhe privilegjin të njihet si hero i luftës së dytë botërore ku shërbeu si pilot, edhe pse, vazhdon Pacolli, për heroizmat e tij në luftë pothuaj ai nuk foli kurrë, student sportist, kongresmen, lider i partisë, diplomat i ditëve të para, drejtues i inteligjencës, Zëvendës President, President.

“Presidenti Bush bëri që rënia e një hegjemonie të kalbur sikurse Bashkimi Sovjetik, të mos i shkaktojë botës, atë çfarë kopjet e vogla sikurse Serbia përmes ish Jugosllavisë, mundën t’i shkaktojnë vuajtje e shkatërrime popujve në rajonin tonë. Xhorxh Bush viteve të fundit forcoi shumë miqësinë me Presidentin Bill Klinton, njeriun i cili dëboi Serbinë dhe Millosheviqin përtej vijës të cilën e kishte caktuar ai me 1992”, shkruan diplomati kosovar. Presidenti Bush ishte një humanist i madh, që ndonëse në moshën e shtyrë, me entuziazëm dhe energji i bashkohej nismave humanitare në SHBA dhe përtej. Sot SHBA-të humben Presidentin model, qytetarin e madh, sot Kosova dhe bota e lirë, humbi njeriun i cili i ktheu shpresën në lirinë të cilën po e jetojmë sot”, thuhet në reagimin e tij.

Pacolli ka përfunduar duke thënë se ne humbëm mikun e madh të shqiptarëve, ngushëllime popullit amerikan, ngushëllime familjes Bush.


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë në ngushëllimin për vdekjen e Presidentit George H. W. Bush, se ai ishte një nga zërat e parë të lidershipit botëror që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Mbështetja që ai i ka dhënë kauzës sonë të shenjtë për liri, ishte një mesazh i qartë anekënd botës. Kjo do të mbetet përherë në kujtesën tonë dhe do të na shërbejë që ta forcojmë edhe më tej miqësinë me Shtetet e Bashkura të Amerikës. Ngushëllime të përzemërta për familjen dhe popullin amerikan. Zoti e bekoftë këtë misionar të paqes dhe demokracisë!”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button