Rama: Berisha s’do mund t’i vjedhë dot zgjedhjet e vitit 2013-të

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar prerazi se nuk do të votojë për heqjen e imuniteti me 6 gusht. “Ndryshimet të bëhen si një proces, i cili mbyllet kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Çështja që ka të bëjë me nenin e imunitetit është mbyllur por nuk do ta votojmë me 6 gusht”, u shpreh Rama gjatë intervistës për gazetarin Alfred Peza. “6 gushti nuk përbën asgjë tjetër përveçse një datë”.

Ai shtoi se “për korrupsionin nuk është pengesë imuniteti parlamentar por është pushteti politik që garanton pa ndëshkueshmëri duke kontrolluar drejtësinë”.

Kreu i PS-së e mbështeti argumentin e tij duke thënë se me këtë nuk dëshiron që të përsëriten gabimet e vitit 2008. “Gabuam duke bërë ndryshimet që nuk ishin për të bërë. Megjithatë ka ende kohë për të vlerësuar të gjitha ndryshimet kushtetuese në tërësinë e tyre”, nënvizoi lideri i opozitës.

Kreu i PS-së tha se opozita propozon ndryshime në Kushtetutë sa i takon emërimeve për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese duke i bërë këtë emërime me 84 vota nga 71 që janë aktualisht. “Këtu ndryshojmë, ne nuk duam të vijmë në pushtet për të kapur shtetin, por duam të ndërtojmë një shtet ku pushtetet janë të ndara”, tha Rama.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, Rama u shpreh se në vitin 2013, Berisha nuk do mund të manipulojë dot rezultatin e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet nuk i vjedh kodi, nuk i garanton kodi, është platformë rregullash që duhet të zbatohet. Kemi rritur disa garanci në letër për një proces zgjedhor më të mirë. “Jemi të bindur, se pavarësisht se pala tjetër dhe Saliu do të bëjë gjithçka, siç ka bërë gjithmonë, për të ndryshuar fatin e zgjedhjeve në 2013, fatin e zgjedhjeve do ta vendosë vota e shqiptarëve”, theksoi lideri socialist./shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button