Kukës, shiu shuan të gjitha zjarret
Zjarret e shumta në pyjet e Kukësit që kanë shkrumbuar qindra hektarë, u shuan mbrëmjen e shkuar, pas reshjeve të shiut që vazhduan deri në orët e vona të darkës.
Ndërhyrja e ushtrisë, e mjeteve zjarrfikëse si dhe ndërhyrje nga ajri, nuk dhanë rezultatin e duhur, por reshjet që erdhën dje pas rreth 4 muajsh, i dhanë fund makthit të flakëve që po shkrumbonin ç’të gjenin përpara, raporton Starti.
“Nga informacionet e para që kemi, të gjitha vatrat e zjarrit në masivet pyjore të qarkut të Kukësit janë shuar. Në normalizimin e situatës kanë ndikuar ndjeshëm reshjet e shiut”, tha përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Sipas të dhënave, këtë verë, nga zjarri u përfshinë masive të tëra pyjesh në malin e Koretnikut, të Gjalicës, në zonën e Arrnit, të Malziut etj, në rrethin e Kukësit, në zonën e Nikaj Mërturit, Valbonës, të Bujanit etj, në rrethin e Tropojës, ndërsa në rrethin e Hasit zjarri përshkroi vetëm masivin pyjore pranë fshatit Pogaj.
Paraprakisht mendohet se nga zjarret janë djegur rreth 300 ha pyje, ndërsa janë në ndjekje penale 4 persona për zjarrvënie të qëllimshme./Portalb