Pandeli Majko: Maqedonia është e federalizuar!

Në intervistën për portalin “Almakos”, ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe një ndër politikanët më të shquar shqiptar  Pandeli Majko, flet edhe për situatën politike në Maqedoni, duke thënë se ai sheh një pamje “federale” në politikën e Maqedonisë. Sipas tij, në skenën politike të vendit ka një mungesë të madhe në marrëdhëniet njerëzore dhe publike të politikanëve shqiptarë dhe maqedonas.

“Për momentin, siç e kuptoj unë nga distanca (mbase jam i gabuar), politika në Maqedoni ka një pamje “federale”. Kjo pamje zhvillohet larg syve të publikut. Ajo ekziston si “informalitet xhentëlmenësh” i cili është një ndarje zonash influence mbi baza etnike dhe një prakticitet për të kontrolluar problemet në qeverisje. Principi është i thjeshtë sipas të cilit shqiptarët qeverisin shqiptarët dhe maqedonasit të vetët. Kjo ka deri diku kuptim por është e përkohshme, e personalizuar dhe aspak e shëndetshme për funksionimin e shtetit. Maqedonia nuk ka nevojë për politikanë “rojtarë” por për reformatorë të një shteti i cili është në udhëkryqin e mundësisë historike për të qenë modeli i ri i konfliktit ballkanik… Ose të kthehet në një  “Zvicrës” rajonale, në Gjenevën e së cilës do ulen avionët e politikanëve vibrantë të rajonit, të “etur” për oksigjen dhe marrëveshje…  “, tha Majko.

Në pyetjen se a është legjitime që BDI ta ndihmon Gruevskin të mbetet në pushtet, si një udhëheqës të cilin – siç tregojnë të gjitha anketat – mbi 90 % e shqiptarëve nuk e duan, Pandeli Majko u përgjigj:

“Në se Gruevski do të ishte një qytetar i thjeshtë nuk besoj se do të ndodhte që Ali Ahmeti ti jepte qoftë edhe një kafe. Mirëpo, ja që ky “tip” sot është kryeministri i Maqedonisë dhe egocentrizmi i tij ju ka dalë përpara shqiptarëve…

Gruevski në një reflektim të fundit duhet ta sheh si një fat historik që krah Ali Ahmetit, si dy “karaktere” të tilla të mund të ndryshonin Maqedoninë dhe historinë e saj…Të ndërtosh të ardhmen në Ballkan dhe të mbledhësh vota për të qeverisur kombin shpesh janë dy gjëra të ndryshme. E sigurt është që historia do kujtojë ata që dinë të rrezikojnë”, u përgjigj Majko./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button