A do të takohen serish Ahmeti me Gruevskin?

Pas kthimit të kryeministrit Nikolla Gruevski nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që ai të realizojë një takim të dytë me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, për “të qetësuar efektet e krizës së koalicionit” . Por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga shefi i kabinetit të Ali Ahmetit.

“Me sa e di unë nuk kemi njohuri për një takim të ri mes Ahmetit dhe Gruevskit” është përgjigjur Artan Grubi i pyetur nga Portalb në lidhje me spekulimet në opinion se javën që vjen do të takohen dy liderët për të tentuar të gjejnë zgjidhje për krizën politike.

Nga kabineti i liderit të VMRO nuk janë prononcuar në lidhje me këtë informatë.

Jozyrtairsht, mësohet se një variant që po shqyrtohet për tejkalimin e krizës politike është shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Fatmir Besimi, të tërhiqen tabelat me emrat e personaliteteve shqiptare që u vendosën në shkollat e Çairit ndërsa nga ana tjetër të anulohet për një kohë të papërcaktuar ligji i propozuar nga VMRO DPMNE për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase i njohur si ligji për branitellat.

Por, të dy partitë zyrtarisht mbeten në qëndrimet e vjetra.

“Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin tonë. Nuk e kemi ndërmend të heqim dorë dhe do të vazhdojmë ta bllokojmë këtë ligj” tha Artan Grubi për Portalb.

Ndërsa dje deputeti i VMRO-së, Vele Gjeorgjievski serish ka përdorur fjalorin para 2001-shit duke i quajtur pjesëtarët e UÇK-së ekstremistë.

“Nuk do të përkulesha para pjesëtarit të rënë të grupit ekstremist dhe terrorist, e cila kishte sulmuar Republikën e Maqedonisë në vitin 2001”, tha Gjeorgjievski.

Ndërkaq , zëvendëskryeministri Musa Xhaferi në Alsat-M mbrëmë tha se shqiptarët do të kërkojnë Kushtetutë të re nëse miratohet Ligji për “Branitellat”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button