Strugë, spektakël në Këshillin komunal

Këshilli komunal në seancën e sotme rezervoi një ”spektakël” për qytetarët dhe gazetarët e pranishëm në sallë, pothuajse gjatë gjithë kohës këshilltarët herë merrnin pjesë në seancë herë dilnin prej saj në varësi të pozicionimit të tyre pro ose kontra një propozimi të caktuar. 

Kjo mënyrë e të vepruarit të këshilltarëve, rezultoi me pauza të gjata për shkak të mungesës së kuorumit .Në këtë seancë për herë të parë u regjistrua edhe çarja e parë publike ndërmjet Kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe koordinatorit të grupit të këshilltarëve të BDI-së, Martanesh Dauti, i cili në shenj pakënaqësie u largua nga seanca pas votimit të një sërë propozimeve që kishin të bëjnë me legalizimin e disa objekteve tashmë të ndërtuara .

Një çështje tjetër për të cilën u konsumua një pauzë e gjatë, ishte dhe raporti për punën e partnerit privat të ndriçimit publik të Komunës së  Strugës .Këshilli vendosi që për supervizimin e punës  së Ndërmarrjes ”City Light” të shpallet një tender ku do të zgjidhet një kompani e specializuar e fushës e cila do të shoh nga afër se sa i ka respektuar detyrimet e parashikuara në kontratë kjo kompani, që administron me ndriçimin publik.

Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, theksoi se është më mirë që për punën e Ndërmarrjes që menaxhon ndriçimin publik, të jap vlerësim një kompani e specializuar se sa për të të prononcohet Komisioni I themeluar nga ana e Komunës. / portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button