Iran, ish-presidenti Ahmadinejad rikthehet përmes…“Twitter”-it

Ish-presidenti i Iranit, për të cilin është folur shumë, Mahmoud Ahmadinejad po shijon momentin e tij në Twitter, transmeton Top Channel. 

Gjatë 8 viteve të tij në detyrë, ai pushtoi faqet e para të shtypit ndërkombëtar, kur e quajti holokaustin një mit, kur kërkonte zhdukjen nga hartat e botës të Izraelit, kur mohonte ekzistencën e homoseksualëve në Iran dhe kur vendosi madje të ndalonte edhe Twitterin.

Por tani, vet ai është rikthyer dhe komunikon me përdoruesit e platformës në të gjithë botën, përmes një llogarie në gjuhën angleze, që e shfrytëzon për të komentuar një varg ngjarjesh, që nga futbolli amerikan dhe politika në Amerikën Latine, e deri te veshja e Serena Williams dhe festa e tij e ditëlindjes.

Vet ai ndjek në Twitter një numër të vogël personash, por të famshëm sigurisht, nga futbollisti argjentinas Diego Armando Maradona dhe ylli i basketbollit amerikan LeBron James, e deri te presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro dhe David Duke, ish-mjeshtri i madh i “Ku Klux Klan”.

Muajin e kaluar, Ahmadinejad ndezi shumë polemika në media edhe me një postim në lidhje me varfërinë në SHBA dhe pabarazinë.

Por çfarë po ndodh? Si mundet një njeri, që dikur konsiderohej një iranian tipik i linjës së ashpër, i larguar nga pushteti në vitin 2013, ka arritur tani t’i flasë një gjenerate të re përdoruesish globalë të medieve sociale, politikisht aktivë?

Kryesore duket se është ambicia e tij për rikthim në politikë. Ai e tentoi rikthimin vitin e shkuar, përballë moderatorit Hassan Rouhani, por u ndalua. Tani, ai duket se po synon të përkthejë popullaritetin e tij “online” në sukses në sferën politike. Në erën e politikave populiste, stili i paparashikueshëm dhe i ashpër i Ahmadinejadit, njeriut të popullit, nuk duket fort i pavend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button