Beneluksi, ëndërr shqiptare që refuzohet nga maqedonasit

Ideja e Eurobserver për “Beneluks ballkanik” ditëve të fundit filloi të përfolet edhe në nivel të funksionarëve të lartë shtetëror e partiak. Në vizitën e tij në Shqipëri, Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini ia prezentoi këtë ide kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

Ide kjo e rëndësishme për intenzivimin e bashkëpunimit rajonal, sidomos në aspektin ekonomik, duke krijuar një treg prej rreth 8 milionë banorë. Por, për vetë faktin se në mesin e këtyre 8 milionëve, mbi 6 milionë janë shqiptarë, ideja u prit si një “version i Shqipërisë Etnike”, nga ana e mediave dhe opinionit maqedonas.

Edhe vetë ministri i jashtëm Nikolla Poposki, ka thënë se nuk ka bazë për Beneluks në Ballkan sepse sipas tij integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është në një fazë më të përparuar se sa kur u formua Beneluksi.

“Beneluksi ka pasur logjikë në fazën në të cilën integrimi evropian ka qenë në nivel të ulët dhe tre vende të cilat kanë ekonomi jashtëzakonisht të lidhura dhe varen nga lojtarët gjigant Franca dhe Gjermania kanë vendosur të shkojnë një hap përpara nga aspekti i kontrollimit të kufijve, liberalizim më të madh të qarkullimit të mallrave, të qarkullimit të kapitalit konsolidim në treg. Në këtë kontekst është zgjedhje e kuptueshme. Nëse e shihni nga aspekti i sotëm dhe nëse e vendosni në këtë kontekst, për Beneluks në Ballkan nuk ka bazë sepse integrimi evropian është në një fazë shumë të kaluar, një fazë më shumë të përparuar” ka thënë Poposki,  duke theksuar se me fqinjët ka bashkëpunim të mirë duke u nisur nga qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave.

“Refuzimin e maqedonasve e shoh si rezultat të ndikimeve të interesave formale dhe joformale serbe, por edhe kjo do të tejkalohet, sepse Shqipëria është treguar e hapur edhe për bizneset serbe. Sidomos një rezistence e fuqishme po vie nga lobi energjetik serb, i cili me një marveshje të tille, pak a shumë do të humbiste monopolin në regjion” – thotë Fadil Lepaja, analist Kosovar, duke shpjeguar arsyet se pse autoritetet maqedonase shprehen kundër kësaj ideje.

Ai këtë ide e sheh si një model përmes së cilit mund të përfitojnë të gjitha shtetet e rajonit.

“Ky gjithsesi është model evropian dhe nga ky, për mendimin tim përfitojne të gjitha vendet, në kuptimin e mundësive më të mëdha kolektive, e sidomos qytetarët. Kjo paraqet një nga mënyrat e mira të mundshme që ti tejkalojmë stereotipet, dhe të hyjmë në raporte të respektit reciprok dhe të interesit reciprok. Edhe në Shqipëri ka maqedonas, edhe në Kosovë megjithëse është një numër më i vogël, e të mos flasim për shqiptarët të cilët po ashtu e fitojnë një mundësi të kontribpjnë njëkohësisht zhvillimit të vendit të tyre Maqedonise, por edhe të kenë relacione të papenguara të gjitha fushave me bashkombasit e tyre në Shqipëri e Kosovë” – thotë Lepaja.

Në konferencën “Fqinjësia shqiptare” të mbajtur në Tiranë, edhe kryeministri Sali Berisha nuk fshehi përkrahjen e tij për këtë ide. Analisti nga Shqipëria, Nebil Çika sheh si befasi e mirëseardhur kthimin e autoriteteve shqiptare drejt kësaj ideje.

“Me gjithë vonesën e pa justifikuar ky moment përbën një hap vendimtar për politikën kombëtare shqiptare ku Tirana pritet të ketë një rol vendimtar. Deklaratat e z. Berisha janë ne akord me zhvillimet politike ekonomike e shoqërore të shqiptarëve të ndarë në të paktën pesë shtete në rajon. Besoj që bashkimi apo bashkërendimi ekonomik do të jetë hapi i parë drejt unifikimit kombëtar në të gjitha fushat e jetës dhe ideja e Beneluksit e pranueshme si fazë e parë e këtij projekti” – thotë Çika.

Nebil Çika nuk mendon se politikanët maqedonas mund të pengojnë realizimin e kësaj ideje, me vetë faktin që në të katër anët e kufirit kufizohet me shqiptarë.

“Nuk besoj se shteti i Maqedonisë ka ndonjë interes të mos pranoje bashkëveprimin shqiptar përkundrazi duhet ti bashkëngjitet këtij projekti pasi është i vetmi qe mund tre garantoje te paktën në perspektive afatshkurtër ekzistencën e tij. Tani vartësia e shtetit të Maqedonisë nga raportet me shqiptarët nuk është vetëm politike e etnike por edhe ekonomike. Kufizimi nga tre nga katër anët e kufirin me shqiptarësi faktor apo rrethanë më shumë gjeopolitike nuk u jep ndonjë mundësi maqedonasve sllavë të kundërshtojnë e aq më tepër te pengojnë projektin mbare kombëtar te bashkëpunimit” – tha Çika.

Për liderin e Lëvizjes për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, asnjë version tjetër i bashkimit të shqiptarëve, përveç Shqipërisë natyrale, nuk është i pranueshëm.

“Nuk ka Beneluks, vetëm Shqipëri natyrale. Çdo gjë tjetër është vetëm përrallë nga e kaluara. Duhet të zbatohet akti juridik i 28 nentorit 1912, dhe të realizohet Shqipëria natyrale” – thotë Danaj.

Maqedonia dhe Kosova po ngecin në proceset euro integruese. Maqedonia është e bllokuar nga Greqia, dhe nuk shihet zgjidhje në afat të shkurtë. Kosova ende nuk arrin të bën hap para drejt liberalizimit të vizave. Ideja e bashkimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian duket e largët. Ndoshta kjo ide, “Beneluksi ballkanik”, shihet si mënyrë alternative për bashkimin e shqiptarëve në Ballkan. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button