Ahmeti u takua me Berishën

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, dje u takua me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Në takim u diskutua për bashkëpunimin e gjithanshëm midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, shkencës dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Ali Ahmeti e njohu kryeministrin Berisha me zhvillimet e fundit në Maqedoni, me progresin e bërë në drejtim të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, me kontributin e BDI-së në qeverisjen e vendit, rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes së shqiptarëve në këtë qeverisje, amnistinë për luftëtarët e lirisë, e të tjera çështje.

Kryeministri Berisha i vlerësoi të gjitha këto arritje si shumë të rëndësishme. Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar intensivisht në konsolidimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shprehu vlerësimet për zhvillimet në Shqipëri dhe vendosmërinë e BDI-së dhe qeverisë maqedonase për një zhvillim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi reciprok.

Ndryshe, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Konferencën “Fqinjësia Shqiptare” që u mbajt në Tiranë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ahmeti theksoi që akoma kemi punë për të bërë për avancimin e gjuhës dhe theksoi që ekziston vullneti dhe duhet të tejkalojmë komplekset e të dy palëve, sepse ky vend i takon shqiptarëve po aq sa maqedonasve.
 
Kryetari i BDI-së ka bërë thirrje për bashkim, sepse, sipas tij, vetëm kështu mund të çohet vendi përpara. “Jam optimist se zgjidhja e gjithë problemeve po afron. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, në BE, janë dobi për gjithë qytetarët e Maqedonisë. E ardhmja e shqiptarëve në tërësi është në BE, në NATO. Është e ardhme pa kufij. E ta bëjmë vetë ne.” Ka thënë Ahmeti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button