Nikolic: Do të bisedoja me Jahjagën, por jo me Thaçin

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë të hënën se do të pranonte të bisedonte me kryetaren e Kosovës, Atifete Jahjaga, por jo në takimet joformale, veç në takimin formal.

“Nuk shoh arsye pse te mos bisedoja me përfaqësuesit e Prishtinës, nëse vjen koha për llojin e tillë të bisedimeve. Mirëpo gjithsesi këtë nuk do ta bëja në tubimet joformale veç në takimet formale. Ne duhet ta zgjedhim a do t’i braktisim takimet apo në to do të luftojmë për qëndrimet tona, unë jam për atë që të marrim pjesë kudo ku duhet të dëgjohen qëndrimet tona ”, ka thënë Nikolic.

Mirëpo sipas tij, para kësaj duhet miratuar interpretim të përbashkët të marrëveshjes nga Brukseli që të dihet “nëse autoritetet në Beograd kanë pranuar që institucionet e Prishtinës të jenë të pranishëm në forumet ndërkombëtare derisa aty është edhe Serbia”.

“Duhet të shohim nën cilat kushte do të marrim pjesë. Nëse organizatorët i kanë përmbushur kushtet atëherë nuk shoh arsye të mos jemi aty ku janë përfaqësuesit e Prishtinës, qoftë edhe të mos i shtrëngojmë duart me ta”, ka theksuar Nikolic, raporton RTK.

Kurse Nikoliq, ka theksuar se shtrëngimi i duarve mes kryetarit të Partisë Demokratike, Boris Tadic dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Dubrovnik, ishte një gjest personal i Tadiqit. Ai ka bërë të ditur se të premten ka biseduar me Tadiqin për vizitën e tij të Dubrovnik, përkatësisht në samitin e Kroacisë dhe se ish-presidenti i Serbisë nuk e ka informuar se ai do të takohej me Thaçin. “Po të më kishte treguar, unë do t’i rekomandoja, që të mos i shtrëngojë duart me një njeri, i cili është nën akuza të rënda”, ka deklaruar Nikolic.

Lajme të ngjashme

Back to top button