Izet Zeqiri kritikon “dashurinë” mes KRD-së dhe TV Sitel

Debat i ashpër në Kuvend rreth Raportit për punën e Këshillit për Radiodifuzion të Republikës së Maqedonisë për vitin 2011. Opozita akuzon për politizim dhe partizim të skajshëm të këtij këshilli.
 
Deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri kontestoi reklamimin e Qeverisë nëpër mediume, ku nënvizoi një jo-proporcionalitet të dukshëm në favor të disa mediumeve, e sidomos TV Sitel.

“TV Sitel me 124 të punësuar ka të hyra prej gati 407 milionë denarë, ndërsa Alsat M me gati numër të njëjtë të të punësuarve (115) ka të hyra prej 103 milionë denarëve, katër herë më pak se Siteli” – tha Zeqiri.
Ndaj këtyre akuzave, kryetari i KRD-së Zoran Trajçevski u mbrojt se është faji i televizioneve nëse ata nuk gjinden në treg.

“KRD vendos kushte të njëjta për të gjithë, varet nga mediumet si do të gjinden në treg” – tha Trajçevski.

Por Izet Zeqiri u kundërpërgjigj duke theksuar ndryshimin e Ligjit në vitin 2011, me çka sipas tij KRD shkel të gjitha parimet e konkurrencës, duke i dhënë të drejtë MRTV-së të emetojë reklama, me çka ky medium financohet nga dy burime, taksat e qytetarëve dhe reklamat.

Përveç mos barazisë financiare, Zeqiri vëren edhe favorizim të redaksisë së TV Sitel, duke përmendur rastet kur kryeredaktori Dragan Pavloviq Latas shkelte rregulloren për rastet e vrasjes së dyfishtë në Gostivar dhe vrasjes së pesëfishtë në Smillkovc, për çka mbeti i pa dënuar.
Kritika të ashpra për punën e KRD dhe kryetarit të saj, Zoran Trajçevskit,  kishte edhe opozita maqedonase.

“Mos u hidhëroni me të, ai është vetëm një vasal i cili realizon urdhrat e dikujt tjetër. Vetëm dy televizione e përmbushin programin, MTV1 dhe Alfa. Gënjen kur thotë se do ti mbyll të gjitha që nuk e përmbushin. Ai vetëm realizon atë që VMRO e shef si problem. Të gjitha tjerat janë përralla. Sivjet bëhen një vit nga mbyllja e A1. Ky është suksesi më i madh i VMRO-së, dhe kjo do të jetë dënimi më i madh për ta” – tha deputeti opozitar Safet Bishevac.

Ai u shpreh i zhgënjyer që për mbylljen e televizionit A2 kishin votuar edhe anëtarët e këshillit të propozuar nga BDI.

“Për mbylljen e A2 votuan edhe këshilltarët e propozuar nga BDI, dhe mua më vjen keq që kam mbrojtur një prej tyre, duke menduar se do të kryen punën e vet në mënyrë të ndershme” – tha Bishevac.

Lajme të ngjashme

Back to top button