Tetovë, parkimi në qendër do paguhet

Brenda pak ditësh pritet të përfundojë kaosi në komunikacionin e Tetovës. Më saktësisht, për pak ditë parkimi në qendër të qytetit do të kushtojë 25 denarë për një orë.

Këtë e bëjnë të ditur edhe nga ana e sektorit për komunikacion në komunën e Tetovës, të cilët njoftojnë se tani më tenderin për parkimin me pagesë e ka fituar kompania Elektro Soft dhe tani pritet që kjo kompani të nënshkruajë kontratë me të tre operatorët mobil në Maqedoni, me çka menjëherë do të fillojë parkimi me pagesë në qendër të qytetit.

Sipas Memet Jonuzit, udhëheqës i sektorit për komunikacion në komunën e Tetovës, parkimi zonal do të jetë përgjatë bulevardit “Ilinden” dhe nga qendra deri tek Xhamia e larme; në bulevardin “Iliria” deri tek Monopoli; në rrugën Dervish Cara deri në rrugën Bllagoja Toksa dhe në rrugën para spitalit të Tetovës, apo tek rruga Memet Pashë Deralla. 

Sipas tij, sistemi i pagesës do të jetë nëpërmjet SMS porosive, njësoj si në Shkup dhe kjo, përpos që pritet ta largojë kaosin në komunikacion, do të pasurojë edhe buxhetin e komunës së Tetovës. 

Në Tetovë janë duke funksionuar  tre parkingje me pagesë, edhe atë një prapa pallatit të Kulturës, një në qendër të qytetit dhe një në afërsi të gjykatës së Tetovës.

Nga ky projekt i komunës së Tetovës pritet që të ketë edhe punësime të reja, ndërsa për ata që nuk do të paguajnë, do të ketë edhe 50 bllokues rrotash që pritet së shpejti të jenë në funksion. Ky projekt nga komuna e Tetovës ka filluar para dy muajsh, ndërsa tani pritet që vetëm të nënshkruhet kontrata me operatorët dhe projekti për parkim zonal do të jetë i gatshëm./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button