SHBA do të mbyll zyrën e PLO-së në Washington

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan të hënën mbylljen e misionit diplomatik të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), ndërsa administrata e Donald Trump përgatitet të shpalosë planin e saj të paqes në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

“PLO nuk ka ndërmarrë hapa për të çuar përpara negociatat direkte dhe kuptimplote me Izraelin”, deklaroi Departamenti i Shtetit, duke cituar si arsyetim për mbylljen e zyrës thirrjet e palestinezëve që Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) të hetojë Izraelin.

Zyra kishte shërbyer si ambasada de fakto e Palestinës në Washington.

“Ne kemi lejuar zyrën e PLO-së të kryejë aktivitete që mbështesin objektivin e arritjes së një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse midis izraelitëve dhe palestinezëve në nëntor të vitit 2017”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert në një deklaratë.

“Megjithatë, PLO nuk ka ndërmarrë hapa për të çuar përpara negociatat direkte dhe kuptimplote me Izraelin. Përkundrazi, udhëheqja e PLO-së ka dënuar planin e paqes të Shteteve të Bashkuara të cilin ende nuk e kanë parë dhe kanë refuzuar të angazhohen me qeverinë amerikane për përpjekjet e paqes”, shtoi ajo.

Një zëdhënëse tjetër e Departamentit të Shtetit më vonë tha se misioni është urdhëruar të lirojë zyrën e saj jo më vonë se 10 tetori.

Mark Perry, një ish-këshilltar jozyrtar i kryetarit të PLO-së, Jasser Arafat, kritikoi njoftimin e Washingtonit, duke thënë se “SHBA gjithmonë ka qenë avokat i Izraelit”.

“Ironikisht, njoftimi është në të vërtetë një lajm i mirë, sespe i jep fund pretendimit se SHBA në të vërtetë kujdeset për paqen në Lindjen e Mesme”, tha Perry për AA.

“SHBA është tani në një linjë të përkryer me projektin kombëtar izraelit, por Izraeli nuk beson dhe kurrë nuk ka besuar në procesin e paqes, as nuk ka kërkuar pajtimin me palestinezët”, tha ai.

“Përkundrazi, qëllimi i tij është shkatërrimi i projektit kombëtar palestinez. Ajo që ndryshoi sot është se SHBA tani i është bashkuar kësaj përpjekjeje”, shtoi ai.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton më vonë tha se Washingtoni do të ndërmarrë masa nëse GJNP vendos të ndjekë penalisht Izraelin, SHBA-në ose ndonjë aleat tjetër të saj.

Këto masa përfshijnë sanksione të mundshme të fondeve të GJNP-së në SHBA, si dhe ndalimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të GJNP-së për të hyrë në SHBA.

“Do të marrim parasysh nëse ndonjë shtet bashkëpunon me hetimet e GJNP-së ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj dhe do ta mbajmë mend këtë bashkëpunim kur të caktojmë ndihmat e jashtme, ndihmat ushtarake dhe nivelet e shkëmbimit të informacionit”, tha Bolton.

Komentet vijnë pasi administrata Trump përgatitet të rishikojë planin e saj për të arritur një paqe ndërmjet Palestinës dhe Izraelit, një marrëveshje që Trump e ka definuar si “marrëveshja e shekullit”.

Zyrtarët palestinezë vazhdojnë të refuzojnë ndonjë rol të SHBA-së në bisedimet e paqes me Izraelin pasi Trump e shpalli në mënyrë të njëanshme Kudsin si kryeqyteti i Izraelit vitin e kaluar.

Ndërkohë, para shpalljes zyrtare të vendimit, PLO e ka cilësuar atë si “përshkallëzim që do të ketë pasoja serioze politike duke e sabotuar tërë sistemin ndërkombëtar për të mbrojtur okupimin e Izraelit dhe krimet e tij”.

Vendimi për mbylljen e misionit palestinez është përpjekja e fundit për të rritur presionin ndaj Ramallahut. SHBA tashmë i ka ndalur të gjitha fondet për agjencinë e refugjatëve palestinezë të OKB-së (UNRWA) dhe ka ndërprerë më shumë se 200 milionë dollarë ndihma për palestinezët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button