Hidhet gurrthemeli për ndërtimin e shkollës së Merovës

Sot u vendos gurrthemeli i shkollës fillore ‘Pashko Vasa” të Merovës e cila vitin e kaluar u përfshi nga flakët, si pasojë e të cilës 135 nxënës mbetën pa mësojtoret e tyre.

Zëvendësministri i Arsimit dhe shkencës, Safet Neziri, bashkë me kreun e Komunës së Zhelinës kanë premtuar sot se me mjetet që kanë ndarë, diku rreth 9 milion denarë, 5 milionë janë ndarë nga Ministria e Arsimit dhe 4 milionë nga Komuna e Zhelinës, do ta ndërtojnë këtë shkollë. Këto të holla janë ndarë për të dy shkollat, këtë të Merovës dhe shkollën e re që do të ndërtohet në fshatin Novosellë të Komunës së Zhelinës.

Me këto mjete të ndara, është paraparë që dy objektet e reja shkollore të arrijnë deri në fazën karabina, ndërsa me buxhetin e vitit të ardhshëm do ndahen mjete edhe për meremetimin e brendshëm dhe inventarin e tyre. Zavendës ministri i arsimit dhe shkencës, Safet Neziri tha se  së shpejti do të përfundojë ndërtimi i këtyre shkollave.

“Besoj që sa më shpejtë që mundemi do t’i ndërtojmë këto shkolla dhe se së shpejti do të caktohet edhe kompania e cila do ta marrë përsipër ndërtimin e kësaj shkolle. Shpresoj që kah mesi i vitit 2013 nxënësit do mundë të hyjnë në godinën e re shkollore”, u shpreh Neziri.

“Ne nga buxheti komunal miratuam edhe katër milionë denarë të tjera për ndërtimin e të dy shkollave, megjithatë ankandi elektronik ra në një vlerë afër shtatë milionë denarë, që do të thotë se dallimin prej pesë milionë denarësh do ta financojë komuna dhe ajo është një vlerë prej afër 2 milionë denarësh”, tha  Fatmir Izairi, kryetar i komunës së Zhelinës.

Ndryshe, më 15 gusht të vitit 2011 shkolla fillore e fshatit Merovë u përfshi nga flakët dhe 134 nxënës të kësaj shkolle gjatë kësaj periudhe mësimin e kanë zhvilluar në një shkollë të improvizuar në një shtëpi private dhe që atëherë e deri më sot disa herë është premtuar për fillimin e punimeve në këtë shkollë por deri më tani nuk ka pasur asnjë iniciativë konkrete për fillimin e punëve./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button