Abortet në Tetovë shënojnë rënie

Numri i aborteve shënon rënie në repartin gjinekologjik të spitalit të Tetovës, kështu flasin shifrat të cilat në krahasim me vitet e kaluara, këtë gjashtë mujor kanë numër më të vogël. 
“Ekipet speciale të cilat merren vetëm me abortet dhe me bindjen e pacientëve për të mbajtur gjallë frytin e tyre, sipas shifrave statistikore po ia arrijnë qëllimit”, shprehet kryeshefi  i repartit gjinekologjik Nagip Rufati. 

“Femrat shqiptare kohë më parë ishin më pak të informuara për problemet që pasojnë pas një aborti, mirëpo me kohë pothuajse të gjithë femrat tani kanë informacion për problematikat dhe komplikimet, teksa në masë të përgjithshme nevojiten ligjërata të cilat do të ngrijnë vetëdijen e femrave të cilat kanë më pak qasje deri te këto informacione”, shpjegon më tej drejtori i repartit gjinekologjik Nagip Raufi. 

Rastet e aborteve të cilat paraqiten në repartin e gjinekologjisë në Tetovë janë më shumë si pasojë e një shtatzënie të padëshiruar, dhe me arsyetimin se kanë shumë fëmijë e nuk kanë mundësi që ta përmbajnë ekonomikisht, e ëma vendos që ta abortojë fëmijën. Por pas çdo kërkese të pacientes për të abortuar fëmijën mblidhet komisioni i cili e shqyrton kërkesën e pacientes dhe më pastaj njëzëri vendosin për kryerjen e abortit. 

“Gjithçka është e kontrolluar deri në maksimum dhe para çdo ndërhyrje pacientja përgatitet edhe psiqikisht që të shkojë e gjithë procedura pa komplikime”, thotë kryeshefi i repartit gjinekologjik. 

Ai më tutje shpjegon se deri më tani, në repartin e gjinekologjisë në Tetovë nuk kryhen aborte në forma të jashtë ligjshme. 

“Në rastet kur femrat dëshirojnë të abortojnë dhe komisioni për herë të parë nuk e aprovon abortin, atëherë formohet komision i shkallës së dytë, por kurrë nuk ndodh që në ndonjë formë korruptive të ndërhyhet për abort”, thotë drejtori i repartit gjinekologjik në Tetovë, Nagip Rufati./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button