Miratohet Ligji për punësim dhe sigurim në rast papunësie

Në suaza të seancës së 35-të Kuvendi para pak çastesh miratoi Propozim –ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punësim dhe sigurim në rast papunësie.

Para miratimit të ligjit u zhvillua një debat i ashpër mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhornacës. Për opozitën maqedonase kjo zgjidhje është katastrofale. Kjo është vetëm politikë e fshehjeve dhe gënjeshtrave, dëshirojnë të lavdërohen se kanë ulur numrin e të papunëve, ndërsa do ti fshijnë nga lista të gjithë, për shembull një mjek i papunë, do të duhet të punojë në brendi të Maqedonisë ose do të fshihet nga lista, akuzuan deputetët e LSDM-së.

“Ministri ikën apo shkoi diku të fotografohet, ndërsa këtu situata është alarmante. Kemi 31.6 për qind të papunë dhe në vend se të hapen vende të reja të punës, qeveria hedh para në budallallëqe. Me këtë ligj qeveri vendosi të kapitullojë në luftën kundër papunësisë”, deklaroi deputetja Biljana Kazanxhiska.

Deputetja Vesna Bendevska tha se ky ligj është më rigorozi i sjellur deri tani, dhe është turp që mazhoranca tenton ta paketojë si ligj evropian.

Ivon Veliçkovski nga Partia Liberale tha se me këtë ligj shumica po përgatitet për valën e re të papunësisë që do ta godet vendin, ndërsa me ligjin e ri vetëm manipulohet me qytetarët.
Mazhoranca replikoi duke thënë se nuk është e vërtetë se dikush do të fshihet nga lista e të papunëve.

“Mjaft më manipuluat, asnjë nuk do të fshihet, ju vetëm po spekuloni para opinionit”, tha deputetja Ane Loshkoska.

Propozim –ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punësim dhe sigurim në rast papunësie u miratua pas një debati që filloi të premten dhe nxiti shumë polemika, i njëjti u miratua vetëm me votat e mazhorancës./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button