Tetova merr masa për të siguruar nxënësit

Sot në komunën e Tetovës ka startuar projekti “Shkolla të sigurta-ambient harmonik” që realizohet në partneritet me misionin e OSBE-së në Maqedoni. Nëpërmjet këtij projekti do të përgatitet një dokument i unifikuar për siguri në shkollat e mesme të Tetovës, i cili më pas do të implementohet gjatë vitit shkollor 2012-2013. 

Këshilli lokal për preventivë ka miratuar fillimin e këtij projekti, ndërkohë që është krijuar një grup punues, i cili në detaje do të shqyrtojë gjitha aspektet e strategjisë për parandalimin e dhunës nëpër shkolla, me të gjithë aktorët relevantë lokal, duke përfshirë sektorin për preventivë në polici , përfaqësuesin komunal për arsim, shkollat e mesme, Inspektoratin shtetëror për arsim, qendrën për punë sociale dhe organizatat joqeveritare.

Komuna e Tetovës ka mbështetur këtë projekt, duke e parë atë si një mundësi për mjedise shkollore të sigurta.

”Siguria e nxënësve nëpër shkolla mbetet një nga detyrat parësore për të gjithë ne. Nëpërmjet këtij projekti të inicuar dhe mbështetur nga misioni OSBE-së, çështja e sigurisë në mjediset shkollore fiton një qasje dhe trajtim serioz , duke nxitur idenë për një ambient sa më të qetë dhe më të sigurt për një proces normal edukativ dhe arsimor”, tha shefi i kabinetit, Muharem Idrizi.

Përfaqësuesi i OSBE-së, Dejan Stefanoviç, ka falënderuar kryetarin e komunës së Tetovës, Prof.Dr. Sadi Bexhetin për përkrahjen dhe në të njëjtën kohë ka prezantuar të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin e këtij projekti. Sipas tij, ky projekt do të japë rezultate të dukshme në zvogëlimin e dhunës në shkolla, ndërsa do të implementohet në shumë shkolla në qytete të ndryshme të Maqedonisë.

Formimi i grupit punues është hapi i parë i fillimit të projektit, i cili parashihet të përfundojë në fund të këtij viti. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button