QME padit deputetët që votuan lustrimin

Të dielen, më 1 korrik, 2012, me fillim në orën 11.00 në klubin e Qytetarëve për Maqedoni Evropiane (QME) në Çarshinë e vjetër të Shkupit, Lubomir Fërçkoski, Vlladimir Millçin, Branko Geroski dhe anëtarë e tjerë të QME do të publikojnë padinë penale kundër deputetëve që në seancën e 35-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë votuan për miratimin e Ligjit për lustrim.

Sipas anëtarëve të QME, me miratimin e Ligjit për lustrim më 20 qershor të vitit 2012, deputetët de facto votuan për dispozitat jo kushtetuese për të cilat Gjykata kushtetuese veç më deklaroi se janë jo kushtetuese dhe të njëjtat i shfuqizoi me disa vendime tjera. 

“Deputetët me vetëdije refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës kushtetuese, ndërsa si pasojë e kësaj, kanë kryer  vepër penale – Mos zbatim i vendimit të Gjykatës kushtetuese të Republikës së Maqedonisë.” thuhet në reagimin e QME.

Deputetët votuan për miratimin e Ligjit për lustrim në të cilin përsëri  lustrimi kap edhe periudhën pas 17 nëntorit të vitit 1991, rregullon lustrimin e personave të cilët janë ish-funksionarë, anëtarë të partive politike, bashkësive fetare, gazetarët dhe organizatat joqeveritare, dispozita për të cilat Gjykata kushtetuese përcaktoi se ato janë jo kushtetuese dhe të njëjtat i shfuqizoi, thonë nga QME.

“Rregullimi i serishëm  i këtyre dispozitave, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës kushtetuese, përbën thyerje të ashpër të rendit kushtetues  dhe mos respektim të vendimeve ekzekutive të Gjykatës, çka, në fakt, paraqet një vepër penale. Duhet të theksojmë se liria dhe imuniteti të cilin e posedojnë deputetët për  të diskutuar, për të shprehur mendimet e tyre, për të dhënë propozime formale dhe për të votuar, nuk mund të përfshijë në vete aktivitete të vetëdijshme  dhe procedurat të cilat janë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës kushtetuese” thuhet në reagimin e QME./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button