Hapet qendra e parë për trajnim për arsim të integruar

Qendra për Dialog Nansen (QDN) Shkup, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sot në prezencën e ministrit të Arsimit Pançe Kralev dhe zv/ministrin Safet Neziri e hapi Qendrën e parë për trajnim për arsim të integruar. Pançe Kralev tha se procesi i integrimit të shumëfishtë kundrejt segregacionit në institucionet bashkëkohore arsimore duhet të jetë i ndërtuar në drejtim të vendosjes së bashkëpunimit cilësor dhe konstruktiv, jo vetëm midis nxënësve por edhe midis arsimtarëve, prindërve dhe të jetë një shembull i mirëfilltë për nxënësit. 

“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës plotësisht e përkrah procesin e arsimit të integruar dhe në këtë drejtim siguroj përkrahje institucionale për Qendrën për Dialog Nansen për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për ndërtimin dhe promovimin e arsimimit të integruar si një trend bashkëkohor i arsimit dhe një tendencë e vazhdueshme në Republikën e Maqedonisë”, tha Kralev.

Qendra e trajnimit do të ofrojë trajnime teorike dhe praktike për mësues të shkollave fillore dhe të mesme multietnike nga Republika e Maqedonisë. Trajnimet janë me kohëzgjatje prej dy viteve dhe si trajnues do të jenë të angazhuar ekspertë lokalë nga Maqedonia, nga Irlanda Veriore, Norvegjia dhe Izraeli.

“Prezenca jonë këtu është rrjedhojë e arritjeve të mëdha të Qendrës për dialog Nansen në drejtim të afirmimit të vlerave integruese të nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike. Kjo i afirmon të gjitha shtetet e rajonit të cilët zhvillojnë proceset edukativo-arsimore  nëpër shkolla të përbëra nga nxënës të bashkësive të ndryshme etnike. Rezultatet pozitive që i ka arritur QDN në Maqedoni për afirmimin e vlerave pozitive njerëzore, ndërkulturore, ndërfetare që i bashkon bashkësitë e ndryshme etnike, na shtyejnë që të  japim përkrahje tani, por edhe në projektet e përbashkëta që do t’i kemi në të ardhmen”, tha Neziri.

Ndryshe, Qendra për Dialog Nansen Shkup është organizatë joqeveritare lokale joprofitabile, e themeluar në vitin 2000 dhe e mbështetur nga Akademia Nansen në Lilehammer, Norvegji. Misioni i kësaj organizate është që në mënyrë aktive të mbështesin dialogun ndërkulturor dhe ndëretnik, posaçërisht në sferën e arsimit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button