Administratorët shqiptarë, të punësuarit e papunë?!!!

Sa nga  1500 administratorët shtetëror të pranuar gjatë tre vitet e fundit, qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe presin sistemimin në vendet e tyre të punës, dhe sa prej tyre kanë pasur fat dhe janë vendosur në vende pune, askush nuk ka një përgjigje të saktë. Nga qeveria të orientojnë në Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, nga atje në qeveri dhe kështu me radhë.

Për të plotësuar 25 përqindëshin në administratën shtetërore, obligim që buron nga Marrëveshja e  u organizuan shumë konkurse ku u pranuan shumë të rinj shqiptarë. Të gjithë ata posedojnë vendime për punë dhe rrogat për çdo muaj mbërrijnë në kontot e tyre.

Mirëpo problemi që lindi, ishte se ku të dërgohen ata, apo ku të sistematizohen. Se sa është numri i atyre që presin për tu sistematizuar, apo edhe i atyre që tani më janë sistematizuar, një e dhënë e tillë nuk është publikuar asnjëherë nga ndonjë institucion shtetëror.

Se sistematizimi i administratorëve nuk ecën ashtu siç është planifikuar është më se evidente, sidomos në dikasterët që drejtohen nga VMRO-DPMNE gjithmonë me arsyetim të mbingarkesës së administratës së tyre.

Ndaj këtij fenomeni që është rast unik vetëm në Maqedoni, që dikush të jetë i punësuar në administratë të marrë rrogë dhe të ri në shtëpi, shpesh ka reaguar edhe opozita shqiptare, pasi që në programin qeveritar nuk precizohet se deri kur duhet të përmbushet ky detyrim, dhe kur duhet të sistematizohen 1514 administratorët shqiptar.

Shqetësim serioz për situatën aktuale të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në Institucionet e vendit paraqiti edhe Avokati i Popullit Ixhet Memeti, në raportin për vitin 2011. Aty ishte evidentuar edhe fakti i administratorëve të cilët paraqiten si të punësuar, ndërsa nga ana tjetër nuk janë të sistemuar në vende pune. 

Sipas Raportit të Avokatit të Popullit, nga gjithsej 972 institucione në Maqedoni në 495 prej tyre nuk ka asnjë shqiptarë të punësuar, ndërsa në disa ky numër është shumë simbolik.
Arsyeja kryesore për një situatë të tillë, sipas Memetit është mungesa e vullnetit politik nga ana e udhëheqësve të institucioneve të ndryshme shtetërore për të plotësuar normën kushtetuese, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, për të cilin nuk mjafton vetëm shifra.

Memeti tha se nuk ekziston një mekanizëm ligjor për ti detyruar ato, derisa mori kritika për raportin nga partia shqiptare në pushtet BDI.

“Mua nuk më shqetësojnë shumë prononcimet partiake por më shqetëson ajo pse ne jemi aq mbrapa, kjo gjë nuk mund të ndodh në shtetet që kanë demokraci parlamentare të zhvilluar”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Sipas analizave të cilat i posedon Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, me vendim të Qeverisë procedura e sistematizimit të tyre fillon në ato institucione, ku përfaqësimi i shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike është i ulët.

Jo zyrtarisht burime nga qeveria për Portalb, bëjnë të ditur se numri i atyre që akoma janë në shtëpi është shumë i vogël dhe ata janë të pranuarit nga konkursi i fundit të cilët sipas këtyre burimeve, do të sistematizohen së shpejti. Por një dokumentet që do të evidentonte këtë lajm akoma nuk është prezantuar publikisht./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button