Politika vendos kthetrat mbi gazetarinë shqiptare?

Çështja e kontrollimit dhe presionit mbi mediat në Maqedoni është vërejtje serioze në të gjitha raportet ndërkombëtare. Dukej sikur në kampin shqiptar situata është pak më e mirë në këtë drejtim, por rastet e fundit tregojnë tendencë edhe nga politika shqiptare, që të vihet nën kontroll “fuqia e shtatë”.

“Për sa i përket presionit politik, mendoj se mediat shqiptare qëndrojnë në këtë periudhë më mirë se ato maqedonase. Nuk kemi ndërhyrje të drejtpërdrejtë të intervenimit politik se kush do të jetë kryeredaktor apo redaktor siç është rasti së fundmi te ato maqedonase, ku dy vitet e fundit janë vërejtur turbulenca të mëdha” –thotë Besim Iljazi, kryeredaktor i gazetës Koha.

Ai thekson se te mediat shqiptare ekzistojnë raste siç i quan incidentale, por jo edhe praktikë të presionit politik.

“Raste incidentale të presionit ka patur edhe te shqiptarët, por kjo nuk është tendencë. Nga ana tjetër ekziston ai që unë shpesh e quaj “presion subtil” përmes reklamave shtetërore, ku nuk respektohen parimet e ekonomisë së tregut.Te presionet incidentale mund të them se ka patur edhe ndaj nesh, siç ishte rasti vitin e kaluar kur ish-zëdhënësi i DR kërcënoi për shkrimin në gazetën Koha” – thotë Iljazi.

Ndërsa duke komentuar rastet e fundit, Iljazi dënon dhe thekson se politikanët nuk kanë të drejtë të përzihen në punën e gazetarëve.

“Asnjë funksionar politik nuk mund të vihet mbi profesionin dhe detyrën e gazetarit, pavarësisht temës që trajtohet” – përfundoi Iljazi.

Kryeredaktori i Alsat M, Muhamed Zekiri gjithashtu potencon reklamimin e qeverisë si mjet kryesor për kontrollin e mediave.

“Mediat në Maqedoni, pa i dalluar në shqiptare apo maqedonase, janë ndër presion të vazhdueshëm, format e të cilit janë të ndryshëm. Presioni kryesor dhe burimi kryesor i problemeve që paraqiten në media është reklamimi i qeverisë. Ai është presioni më i madh që i bëhet mediumeve. Ata gazetarë dhe ato media nuk guxojnë të flasin dhe ta kritikojnë qeverinë apo të njoftojnë për raste dhe për devijimet që i bëjnë partitë në pushtet” – thotë Zekiri.

Televizioni ku ai është kryeredaktor dje ishte shënjestër e kritikave dhe reagimeve nga të dy subjektet politike shqiptare, PDSH dhe BDI.

“Sa i përket rasteve të djeshme, mua më vjen keq, dhe do ti kisha porositur partitë politike që të merren me vetveten dhe ti lënë rahat mediat, gazetarët dhe opinionistët. Unë kam një porosi për të gjithë partitë politike. Partitë politike dhe pushteti janë të gjithë të kalueshme. Mediat gjithmonë do të jenë këtu ku jemi” – porositi Zekiri.

Ndërsa botuesi i gazetës Lajm, Fejzi Hajdari potencon diskriminimin e mediave shqiptare, dhe financimin e mediave që përmbajnë pushtetin e Gruevskit.

“Sfera e medias është sfera në të cilën shqiptarët janë më të diskriminuar në Maqedoni. Mund të paramendoni se për çfarë diskriminimi bëhet fjalë, kur e kemi parasysh se mediat shqiptare janë më të diskriminuar për shembull se kultura shqiptare ku nuk ndahen as 5 për qind e mjeteve buxhetore. Do të thotë se për mediat shqiptare ndahet përqindje edhe më e vogël e mjeteve buxhetore. Por që të jetë e keqja më e madhe, edhe ato pak mjete u ndahen mediave proqeveritare në gjuhën shqipe që tani gjashtë vite me radhë përkrahin ekskluzivisht politikën e qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe Gruevskit, pa marrë parasysh nëse partneri shqiptar në Qeveri është BDI-ja ose PDSH-ja” – deklaroi Hajdari për Portalb.

    

Lajme të ngjashme

Back to top button