Një qytet dy realitete, ky është Shkupi (Video)

Politikanët shqiptarë e quajnë kryeqendër shqiptare, ata maqedonas e kanë bërë të ngjajë në kryeqendër evropiane. Edhe pasi kjo temë, pra dallimet e mëdha mes lagjeve ku jetojnë shqiptarët dhe atyre ku jetojnë maqedonasit, janë trajtuar shpesh megjithatë asgjë nuk ka lëvizur në drejtim të përmirësimit, sado pak, të jetës në lagjet e banuara me shqiptarë. As para, kur nuk udhëhiqej, dhe as tani, kur komuna e vetme urbane në Shkup me popullsi dominuese shqiptare, Çairi udhëhiqet nga një shqiptar.

Çairi është po ai që ishte, përpos disa investimeve me kapital privat, ai nuk ka parë ndonjë investim thelbësor publik, diçka që do të dukej e vërehej, diçka që mund të thuhej,  ja Çairi ka ndryshuar.

Kur Portalb pyeti kryetarin Mexhiti pse të gjitha komunat kanë hapur tashmë fushatën elektorale me investime masive, ndërsa komuna e Çairit nuk realizon asnjë Mexhiti u përgjigj:“Ne punojmë që nga fillimi i mandatit, aktivitetet tona nuk kanë të bëjnë me fushatën parazgjedhore”.

Rrugë nga vitet e shtatëdhjeta, të arnuara kushedi sa herë, fëmijë që nuk kanë ku të luajnë, në një kohë kur këndet e fëmijëve janë tash më një kohë të gjatë trend edhe në komunat rurale, ato nuk ekzistojnë në Çair. Por si është situata, pyetëm vetë banorët e Çairit.

“Ata janë të revoltuar nga gjendja e rrugëve dhe thonë se, edhe pse kanë alarmuar organet komunale, deri tani asnjë nuk e ka vënë ujin në zjarr për të parë situatën nga afër, dhe të vendosë për rimbushjen e tyre.

Gropat, siç i shikoni edhe nga videoja më poshtë, rrezikojnë njerëzit, në rast se shemben pa mendje në to. Jo vetëm kaq, por edhe rruga po shkon në zhdukje, duke marrë me vete edhe sistemin e kanalizimeve.

‘Gropat e tilla i mbaj mend qe prej dymbëdhjetë vite prej kur edhe kam ardhur në këtë lagje. Mund të shkoni  te restoranti Biznes edhe te Tineksi, po ashtu te Spitali i grave në fakt kudo që të shkoni do të hasni gropa të mëdha. Ne këtu i shkatërruam veturat. Kryetari Mexhiti nuk interesohet hiç për përmirësimin e rrugëve dhe ai vet para hyrjes së shtëpisë ka një gropë që nuk intervenon për të përmirësuar’, tha një qytetar i revoltuar.

Qytetarët kërkojnë nga drejtuesit e komunës që të marrin shembull komunat maqedonase, habiten se si në komunat tjera ka investime, kurse në Çair nuk ka as barë në parqe.

“Të gjitha këto gropa duhet të riparohen jo vetëm këto po gjithkund ku ka dhe dihet se te ne i ka më së shumti. Para disa minutave erdha nga lagja e Aerodromit dhe atje nuk pash asnjë gropë unë nuk e di se si mund të ndodhin këto gjera vetëm te ne, pastaj fajin ia lëmë maqedonasve, kurse ata punojnë, ndërtojnë për popullin e tyre, këta të tonët kur vijnë zgjedhjet na e lëshojnë Ilir Shaqirin, dhe kryhet puna. Kësaj radhe unë nuk do t’ia jap votën atij” tha një tjetër qytetar i cili dëshiroi të ngelet anonim.

Për dallim nga kjo lagje e cila karakterizohet me rrugë të prishura dhe me gropa, lagja e Aerodromit në pjesën tjetër të Shkupit të lë përshtypje se jetojmë në një shtet tjetër, e jo në të njëjtin qytet.

Rrugë evropiane, parqe gjithandej, kënde fëmijësh në çdo anë, investime pa kufi, kjo është fotografia e Aerodromit. Investimi më i ri “Parku i liqeneve” që rrallë e gjen diku në rajon, vend-parkime moderne, pastërti. Komuna i përgjigjet çdo kërkese të qytetarit, edhe pse dorën në zemër, atyre nuk u ngelet shumë për të kërkuar.

“Në lagjen e Aerodromit jetoj 27 vjet dhe 3 vitet e fundit te ne është investuar shumë. Nuk më intereson nga cila parti është kryetari i komunës, më intereson vetëm të jetë njeri në vend të punojë për popullin e tij dhe të përgjigjet në kërkesat e qytetarëve dhe këtë ai e bën siç e shihni. Çdo muaj te ne hapen parqe, terrene sportive, rindërtohen shkollat, riparohen rrugët, d.m.th. vazhdimisht punohet”, tha për Portalb,  Dimitar Ilievski, banorë i Aerodromit.

 “Unë shpresoj se edhe në komunat e tjera në Maqedoni do të investohet si këtu, ja le të marrin shembull kryetarët e komunave të tjera nga kryetari tonë” na tha ky banorë i kënaqur i Aerodromit.

Se kur do të  mund të gjejmë një banorë të Çairit, që do të thotë këto fjali, do të presim që koha të tregojë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button