Erdogan i tërheq vërejtjen Sirisë

Duke folur para parlamentit turk, Erdogan tha se vetëm në kohën e fundit, helikopterët sirianë kanë shkelur hapësirën ajrore turke pesë herë dhe Turqia nuk ka reaguar.

Por, ai tha se Turqia nga tash e tutje, do të “kundërpërgjigjet ndaj të gjitha shkeljeve të Sirisë në kufi”.

Zyrtarët sirianë thanë se në incidentin e fundit të së premtes, aeroplani turk ka shkelur hapësirën ajrore siriane dhe ushtria siriane ka pasur të drejtë të qëllojë dhe rrëzojë avionin.

Turqia tha se edhe pse avioni kishte hyrë pa qëllim në hapësirën ajrore të Sirisë, ai ishte kthyer tashmë në hapësirën ndërkombëtare kur është qëlluar.

Turqia ka kërkuar takimin e NATO-s nën nenin 4 të aleancës, në të cilin thuhet se shtetet e NATO-s do të konsultohen kurdo, kur sipas tyre, “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria” e ndonjë vendi anëtar kërcënohet.

Zëvendëskryeministri truk Bulent Arinq tha para takimit të NATO-s se Ankara ka kërkuar mbrojtje nga Siria nën nenin 5 të statutit të NATO-s.

Por, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha se Këshilli Veri-Atlantik nuk e ka diskutuar nenin 5.

“Nuk e diskutuam nenin 5. Zhvilluam konsultime në bazë të nenit 4, që janë normale. Turqia ka kërkuar konsultimet e tilla. Ne diskutuam situatën dhe aleatët kanë shprehur mbështetjen e fuqishme dhe solidaritetin me Turqinë”, tha Rasmusen./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button