Hoxhaj: Në mot do të ndërtojmë autostradën Prishtinë-Shkup

Kosova në vitin e ardhshëm do të fillojë ta ndërtojë autostradën që do ta lidh Prishtinën me Shkupin përmes Hanit të Elezit. Informatën e tillë e dha ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj në takimin e sotëm me homologun e tij Nikolla Popovski në Shkup.

Ai përveç kësaj shprehi falënderimin për banorët shqiptar të Maqedonisë të cilët i dhanë mbështetje qytetarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë me pranimin e shumë refugjatëve nëpër shtëpitë e tyre. 

Ai dha disa mesazhe kryesore  se Republika e Maqedonisë për Republikën e Kosovës është një partner i rëndësishëm politik, ekonomik dhe strategjik.

“Republika e Kosovës ka më së shumti marrëveshje të nënshkruara me Republikën e Maqedonisë ka vizita të shumta në nivele të ndryshme në mes të vendeve tona dhe ka bashkëpunim të rëndësishëm në fusha të rëndësishme të jetës. Kosova në vitin e ardhshëm do të fillojë ta ndërtojë autostradën që do ta lidh Prishtinën me Shkupin përmes Hanit të Elezit. Dhe ne biseduam se si në një të ardhme të afërt qytetarët e dy vendeve tona të lëvizin lirshëm vetëm me kartat e identitetit në mes Kosovës dhe Maqedonisë”, tha Hoxhaj.

I pyetur për rastin e Smillkovcit ai tha se në mes ministrive të brendshme të Kosovës dhe Maqedonisë si dhe policisë ka një bashkëpunim të shkëlqyer. 

“Të dy ministrat tanë janë në kontakt të përhershëm kanë pasur edhe takime gjatë këtij viti. Prandaj falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që kemi dhe çështjet e tilla nuk janë çështje të cilat i rëndojnë relacionet tona. Unë para se të vij në këtë vizitë kam biseduar me kolegët e mi në Prishtinë dhe ata më kanë thanë se janë në kontakt me kolegët e tyre në Shkup dhe i dinë detajet. Mirëpo nuk kanë qenë temë e bisedës që kemi pasur”, përfundoi Hoxhaj.

Duke vlerësuar bisedën me homologun kosovar si shumë produktive, Poposki theksoi se tani më janë hapur më shumë iniciativa, më së shumti në pjesën e infrastrukturës, energjetikës dhe lidhjes rrugore.

“Gjatë bisedës u theksua nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit mes vetëqeverisjes lokale dhe odave ekonomike. Njëkohësisht e shqyrtojmë mundësinë për lëvizje më të lirë të qytetarëve vetëm me karta të identitetit”, tha ministri Poposki. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button