Orav: Përkushtim ka, mbetet implementimi i reformave

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav në intervistën javore të Radio Evropa e Lirë është shprehur tejet optimist sa i përket përmbushjes së detyrimeve të Maqedonisë të shënuara në udhërrëfyesin që doli nga dialogu i nivelit të lartë Qeveri-Bruksel.

Ai ka thënë se për Maqedoninë ende mblidhen të dhëna për raporin e ri të Komisionit Evropian që do të del në tetor dhe se sheh përkushtim të madh nga ana e Qeverisë.

“Shpresoj se premtimet do të implementohen në mënyrë në të cilën Qeveria u dakordua me Komisionin Evropian. Kishte disa mosmarrëveshje vitin e kaluar dhe me siguri kjo është arsyeja pse kanë dalë deklarata të tilla. Tash të dy palët i kanë vlerësuar pozitat e tyre, biseduan për atë që është e gabuar, çka duhet të bëhet dhe nëse tash shohim në aspekt historik çka shkoi keq mendoj se asgjë nuk do të ndodh”- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni Aivo Orav për REL.

Ne tashmë kemi parë progres të qartë, për shkak se ende jemi në fillim të procesit, afatet përfundimtare po afrohen dhe kjo është lehtë të matet nëse është bërë apo jo progres, tha Orav.

Ai përkujton se deri më 30 qershor duhet të përfundohen shumë punë dhe se ka më shumë se 140 qëllime që Qeveria duhet t’i përmbushë dhe janë caktuar shumë qartë afatet përfundimtare në të cilat detyrat duhet të përmbushen.

“Nëse përmbushen atëherë raporti për progres të vendit nga Komisioni Evropian do të jetë pozitiv dhe atëherë do të jetë thujase e pamundur që vendi të mos marrë rekomandim për fillimin e negociatave dhe pastaj gjithçka do të jetë në duart e vendeve-anëtare për shkak se ato kanë të drejtë të vendosin nëse do të fillojnë negociatat apo jo. Në rast se shkoj më tej, shton ai, do të jetë vetëm spekulim”, tha Orav duke theksuar se për të arritur sukses duhet të kemi optimizëm.

“Në rast se nuk ka optimizëm dhe nëse themi se asgjë nuk do të bëhet nga puna, dhe asgjë nuk do të dalë. Për këtë shkak them se duhet të jemi optimist nga ana e Komisionit Evropian, ashtu edhe Qeveria duhet të tentojë që ta japë më të mirën dhe shpresoj se opozita dhe organizatat joqeveritare dhe të tjerët do të ndihmojnë në këtë proces sa është e mundur, për shkak se ky proces nuk është në interes vetëm të Komisionit apo vetëm të Qeverisë, por është në interes së shtetit”, deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni Aivo Orav në intervistën javore për Radio Evropa e Lirë. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button