Shqipëri: LSI ndryshon ministrat e saj në qeveri

Në Shqipëri Lëvizja socialiste për Integrim, aleatja kryesore e demokratëve të kryeminisrit Sali Berisha njoftoi mbrëmë propozimin për një seri ndryshimesh në tre ministritë e kontrolluara prej saj. Dy prej tyre, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Ekonomisë dorëhiqen ndërsa në vendet e tyre emërohen figura të tjera të kësaj partie. Në këto lëvizje është përfshirë edhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i cili do të kalojë në ministrinë e Ekonomisë dhe vendin e tij pritet ta zërë nënkryetari aktual i Bashkisë s ë Tiranës Edmond Panariti.

Mbledhja e mbrëmshme e kryesisë së Lëvizjes socialiste për Integrim i ka shtrirë efektet përtej selisë së saj. Me një lëvizje të papritur, Ilir Meta, kryetari i kësaj force politike e cila që prej 2009 është pjesëtare e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha, njoftoi ndryshimin e ministrave të saj. LSI, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me demokratët ka kontrollin e ministrisë së Jashtme, asaj të Ekonomisë dhe të Shëndetësisë. Dy nga ministrat aktualë, do të mbeten jashtë kabinetit qeveritar.

Ministri i Ekonomisë Nasip Naco, pritet të rikthehet në pozicionin e mëparshëm, atë të nënkryetarit të parlamentit. Ky post mbahet nga deputeti tjetër Vangjel Tavo i cili do të bëhet pjesë e qeverisë, duke shkuar në ministrinë e Shëndetësisë, në vend të zotit Petrit Vasili i cili rikthehet në funksionet partiake, duke drejtuar fazën organizative në pritje të kuvendit kombëtar dhe zgjedhjeve të drejtuesve të rinj te LSI.

Lëvizjeve të njoftuara mbrëmë nga zoti Meta nuk i ka shpëtuar as ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto. Pavarësisht se ai do të vazhdojë të jetë edhe zëvendës kryeministër, zoti Haxhinasto tërhiqet nga diplomacia për të kaluar në ministrinë e Ekonomisë. Ne vend të tij është propozuar emri i Edmond Panaritit, 52 vjecarit që u emërua nënkryetar i Bashkisë së Tiranës vitin e shkuar. Zoti Panariti, me një profil akademik, nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme diplomatike./botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button