Vijnë zgjedhjet, komunat mbërthejnë rripin

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2013 duket se ka filluar. Projekte dhe aktivitete të ndryshme të financuara nga paratë publike vërehen në shumë komuna kohëve të fundit.

Rufi Osmani vazhdon projektet në Komunën e Gostivarit, së fundmi në Forinë, ku u asfaltuan rrugët, dhe u paralajmërua për investime shtesë. Nga ky qytet punime ka pasur edhe në Debresh, ku është zgjidhur përfundimisht çështja e ujit, me riparimin e rezervuarit të vjetër.

Në Tetovë gjithashtu në prag të vitit zgjedhor investohet në infrastrukturën rrugore. Aty kanë filluar punimet për ndërtimin e dy rrathëve rrugor, ndërsa paralajmërohet edhe i treti. Vlera totale e këtij projekti, sipas zëdhënësit të Komunës së Tetovës, kap vlerën prej 5 milionë denarë. 

As Shkupi nuk ngec për nga investimet publike në periudhën para fillimit të fushatës zyrtare parazgjedhore. Në Saraj po punohet në riparimin e urës, ndërsa edhe më tej shtrohen rrugë të reja në këtë komunë. 

“Në çdo vendbanim do të kryejmë së paku nga një investim të madh, ashtu siç ju kam premtuar” – u shpreh kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Në Çair punohet në sheshin “Skenderbeu” i cili është paraparë të përfundojë diku pak para zgjedhjeve lokale.

“Ne punojmë që nga fillimi i mandatit, aktivitetet tona nuk kanë të bëjnë me fushatën parazgjedhore” – tha për Portalb Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

Por rrugët në Çair vazhdojnë të jenë të paasfaltuara. Parqet e kësaj komune po zaptohen dhe urbanizohen, duke ngulfatur skajshëm hapësirën e kësaj komune. Plani urbanistik duket se ka dështuar.

Përveç fillimit të fushatës jozyrtare kanë filluar edhe kombinimet e mundshme rreth kandidimeve për zgjedhje. Sipas burimeve jozyrtare, në Komunën e Tetovës me shumë gjasa do të rikandidohet Sadi Bexheti nga PDSH, ndërsa nga radhët e BDI-së emri më i përfolur Atila Rexhepi, drejtori i spitalit të Tetovës.

Në Gostivar pothuajse i sigurt është rikandidimi i Rufi Osmanit, ndërsa nga BDI pritet të kandidohet deputeti Adnan Jashari, profesor universitar. Nga PDSH ende nuk kanë kandidat të sigurt për këtë komunë.

Izet Mexhiti për Portalb tha se vendimi për kandidat në Komunën e Çairit sillet nga Kryesia Qendrore e partisë. Por jo-zyrtarisht ai ka gjasa të mëdha që edhe njëherë të kandidohet për kryetar të Çairit, ndërsa në kombinim është edhe Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button