Siri, 887 civilë të vrarë vetëm në muajin korrik

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se 887 civilë janë vrarë në Siri gjatë muajit korrik, shumica e të cilëve nga ana e regjimit të Bashar al-Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këto të dhëna SNHR i shpalosi në një raport të publikuar në lidhje me civilët e vrarë në Siri për muajin korrik.

Sipas raportit, nga regjimi i Asadit muajin e kaluar jetën kanë humbur 684 civilë, gjashtë kanë pësuar nga sulmet e forcave ruse që ofrojnë mbështetje ajrore për regjimin sirian, kurse 11 civilë janë vrarë nga organizata terroriste YPG/PKK.

Ndërkaq, 85 civilë janë vrarë nga organizata terroriste DEASH, ndërsa dhjetë kanë humbur jetën në sulmet e forcave të koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it, thuhet në raport.

Rrjeti sirian po ashtu tha se nëntë civilë janë vrarë nga opozita ushtarake muajin e kaluar, dy nga grupi i armatosur kundër regjimit Hayat Tahrir al-Sham dhe 79 civilë nga persona të paidentifikuar.

– 547 të vdekur nga torturat

SNHR njoftoi se 547 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e torturave.

Në raport theksohet se gjithsej 693 civilë janë vrarë përmes torturave që nga fillimi i vitit 2018, prej të cilave 675 janë kryer nga regjimi i Asadit.

SNHR po ashtu tërhoqi vëmendjen se 13.692 civilë janë torturuar për vdekje nga fillimi i krizës siriane në mars të vitit 2011 e deri në gusht të vitit 2018.

Në raport është bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve në Siri dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button