OJQ-të, na ishin një herë?!

Në Maqedoni janë të regjistruara gjithsej 11 e 500 organizata joqeveritare, të cilat kryejnë veprimtari të ndryshme në sektorin civil. Ato nuk luftojnë për pushtet, por me aktivitetet e tyre tentojnë të marrin pjesë në aktivitetet e ndryshme shoqërore, në përmirësimin e politikave qeveritare të cilat mund të jenë të dëmshme për qytetarët por edhe të jenë pjesë e krijimit të opinionit publik në vend.

Edhe OJQ-të si gjithçka tjetër në vend janë të ndara në bazë etnike, por shumë shpesh edhe në baza ideologjike. 

Për të vendosur ‘rend’ në këtë sektor nga viti i kaluar u miratua Ligji i ri për sektorin joqeveritar dhe ato u detyruan të regjistroheshin ose të ri regjistroheshin edhe pse shumë prej tyre në varësi nëse mund të mbijetojnë financiarisht apo kanë vështirësi të kësaj natyre, pushojnë së funksionuari  deri sa të gjejnë ndonjë donacion. Dhe pikërisht  nga këto probleme dhe nga varshmëria e tyre nga disa donatorë të catuar te qytetarët është krijuar bindja se në Maqedoni sektori civil funksionon nën ‘ombrellën’ e partive politike më të mëdha. 

Në një studim të kryer nga rrjeti gazetaresk hulumtues danez SCOOP vlerëson se sektori joqeveritar nuk ka përfshirë qytetarët në nivelin e duhur në nisma të ndryshme, andaj mobilizimi i tyre është i domosdoshëm me qëllim që të luajë rolin e korrigjuesit të politikave publike, apo të ndërmarrin nisma që janë në të mirën e qytetarëve.

Hulumtimi dëshmon për ndikimet dhe jo rrallë herë presionet që kanë OJQ –të në Maqedoni, dhe ndër to me e përfolura edhe më tej është Fondacioni Shoqëria e Hapur “Soros” që në Maqedoni ekziston që nga viti 1992. Drejtori i saj Vlladimir Millçin thotë se pushteti ka arritur që një pjesë të sektorit qytetar ta frikësojë, ndërsa një pjesë ta “blejë”, ndërkaq akuzon VMRO-DPMNE-së se po zhvillon fushatë të “egër”, ndaj Fondacionit.

Tek shqiptarët OJQ-të lindën pak më vonë, dhe më të njohurat janë Lëvizja Qytetare ZGJOHU!  që u themelua më 5 maj të vitit 2006, për shkak që siç thuhej në aktin e themelimit partizimit të skajshëm të shoqërisë shqiptare në Maqedoni dhe kishte për qëllim themelimin e një mase kritike si zë paralel civil në një shoqëri jashtëzakonisht të partizuar. Por, kjo zgjati vetëm deri në maj të vitit 2011 kur disa aktivistë të “ZGJOHU-t” vendosën që në zgjedhjet e 5 qershorit të vitit 2011 t’i bashkëngjiten listave për deputetë të BDI-së.

Kreu i lëvizjes “Zgjohu”, Artan Grubi ishte i katërti në listën e kandidatëve për deputetë. Pas këtij vendimi, organizata vazhdon të punoj, por tani me percepcionin tek qytetarët shqiptar se ajo ka funksionuar nën diktatin e partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ngjashëm edhe OJQ “Realiteti” nuk arriti tu përballojë erërave politike që vazhdimisht frynin ndaj sektorit qytetar. Organizata Joqeveritare “Realiteti”, e formuar në vitin 2009, ishte organizatë në Maqedoni e cila mision afatgjatë kishte ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm të personave me vizion dhe kishte për qëllim analizimin e situatave aktuale dhe vëzhgimin e proceseve zhvillimore dhe shoqërore, por njejtë si me Zgjohu-n  edhe kreu i kësaj shoqate Valon Bela më 28 nëntor të vitit 2010 vendosi që të themelojë partinë e re politikë shqiptare me emrin “Lidhja Shqiptare”, e cila në programin e saj kishte nënvizuar se angazhohet për kantonizimin e Maqedonisë, dhe në këtë mënyrë u shuan edhe aktivitetet e OJQ “Realiteti”.

Organizatë  Joqeveritare që akoma është aktive është “Iliricum Libertas”. Drejtuesi i saj, Valon Kurtishi shprehet se kohëve të fundit vërehet një dobësim i zërit alternativ dhe i sektorit civil, pasi një numër i madh i shoqatave e kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre. 

Aktualisht është duke u realizuar projekti për përforcimin e sektorit qytetar, donator i së cilit është Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID. Kushton 2.5 milion euro, ndërsa në të janë përfshirë “Sorosi” në partneritet me Forumin Arsimor të të Rinjve, Qendrën e komunikimeve qytetare, OJQ “Reaktor” dhe Qendrën për analiza strategjike “Forum”. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button