“Peugeot” regjistron humbje kolosale

Kompania e dytë më e madhe automobilistike në Europë dhe e para në Francë, “Peugeot”, raportoi për 819 milionë euro humbje në gjysmën e parë të vitit, në të njëjtën kohë që paraqiti një plan shkurtimesh prej 1,5 miliardësh.

Sipas spekulimeve të disa mediave franceze, nëse situata nuk do të përmirësohet së shpejti, atëherë grupi “Peugeot-Citroen” mund të përballet me rrezikun e falimentimit.

Shitjet e firmës në gjashtë muajt e parë të 2012 janë reduktuar me 5,1%. “Peugeot”, i cili në gjashtë muajt e parë të 2011-s regjistroi një fitim prej 806 milionë eurosh, parashikon që të mos jetë në gjendje të dalë nga humbjet deri në 2014-n.

Aktualisht, kompania është në procesin e shkurtimit të 8 mijë vendeve të punës, pavarësisht kritikave që ka marrë nga presidenca e Hollande për këtë plan.

Midis reparteve që do të mbyllen është edhe një prej dy fabrikave në Paris.

Në kontrast, rezultatet e rivalëve gjermanë të “Daimler” janë përshkruar si “shumë të mira”, pavarësisht një rënie në përfitime prej 11%.

”Daimler”, që ka nën pronësi edhe “Mercedes-Benz”, është duke investuar në modele të reja dhe ka vonuar prodhimin e disa markave, pasi fabrikat janë duke punuar me kapacitet të plotë.

Kriza ekonomike e “Peugeot-Citroen” duket se është shkaktuar nga rënia e fuqisë blerëse dhe ekspozimi në vendet më të goditura nga kriza e Eurozonës. Në bazë të planit të ri, kompania do të vazhdojë të prodhojë me 76% të kapacitetit të saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button