S’gjendet Ilir Kumbaro, dorëzohet Prokuroria

Ilir Kumbaro, ish-pjesëtari i SHIK-ut, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptarit nga Maqedonia Remzi Hoxha, nuk gjendet në Britaninë e Madhe. Zyrtarisht autoritetet britanike i janë përgjigjur Gjykatës së Krimeve të Rënda, se Kumbaro nuk gjendej dhe për këtë arsye pyetja e tij për llogari të procesit që zhvillohet në Tiranë, prej vitit 2008 nuk mund të realizohet.

Gjyqi ndaj Kumbaros dhe dy të akuzuarve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, kishte “ngecur” prej më shumë se shtatë muajsh në pritje të ardhjes së përgjigjes nga Anglia, për pyetjen e të pandehurit Kumbaro.

Ish-pjesëtari i SHIK-ut u arrestua në Angli pas 12 vitesh në kërkim, por vendimet e drejtësisë shqiptare i lanë “rrugë të lirë” për të rifituar lirinë, çka bëri dhe të mos realizohej dot ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Me një vendim të fundit në tetor të 2011-ës, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, “rrëzuan” Kumbaron dhe i ndezën dritën jeshile për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Pak ditë pas këtij vendimi Ilir Kumbaro u zhduk pa gjurmë dhe pavarësisht kërkimeve të policisë britanike ende nuk është bërë e mundur kapja e tij. Në kushtet kur Kumbaro nuk gjendet, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga pyetja e tij. Seancën e djeshme gjyqësore, përfaqësuesit e akuzës kanë paraqitur dhe provat shkresore dhe janë vetëm një hap larg kërkimit të masës së dënimit për tre të pandehurit.

Zgjidhja e ngërçit për pyetjen e Kumbaros i hapi rrugë dhe zhvillimit normal të procesit. Por, pikërisht tani kur Gjykata kishte mundësi të firmoste për fatin e të akuzuarve, Kumbaro, Sefgjini dhe Koldashi, fillojnë pushimet vjetore, ndaj seanca e radhës është shtyrë për tu zhvilluar në muajin shtator 2012-të, transmeton BalkanWeb.

Lajme të ngjashme

Back to top button