U shënua 40 vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit

Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe 40 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që është mbajtur në Tiranë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, organizoi konferencë shkencore me temën: “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, vepër me vlera të mëdha kombëtare”.

Drejtori i institutit, Shefqet Zekolli, theksoi se unifikimi i shqiptarëve rreth një gjuhe standarde 40 vjet më parë, ishte një nga pikat më kulmore të bashkimit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve, pavarësisht se në cilat njësi administrative-politike apo krahinore jetojnë.

Në këtë konferëncë morën pjesë emra të shquar të botës akademike shqiptare nga Tirana: Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Jani Thomai dhe Rami Memushaj. Ata vlerësuan lartë kontrubutin e shqiptarëve të Maqedonisë në ruajtjen dhe kultivimin e standardit të gjuhës shqipe tani e 40 vjet me radhë.

Prof.dr Remzi Nesimi, i cili ka qenë i pranishëm në këtë kongres si delegate nga Maqedonia, theksoi se ne të gjithë jemi dëshmitar se ëndrrat e brezave të rinj sot u bënë realitet dhe kemi gjuhë të njësuar. “Tani e tutje mund të presim edhe rezultate më të mëdha në të ardhmen sepse kemi dy akademi, disa institute prandaj presim rezultate të mëdha”, theksoi dr.Nesimi.

“Për të ardhmen mund të them me siguri të plotë se do të mbetet një gjuhë e lëvruar siç po ballafaqohet me dinjitet me gjuhët tjera të zhvilluara të Evropës”, theksoi Prof. dr. Rami Memushaj nga Tirana.

“Platforma apo Kongresi ka filluar të miratohet gjatë vitit 1972. Së pari është praktikuar këtu në Shkup, qendër kryesore ku kanë gravituar shqiptarët”, theksoi Prof. dr. Qemal Murati.

Më tej me kumtesat e tyre u paraqitën edhe gjuhëtarët: Asllan Hamiti, Mustafa Ibrahimi, Haki Ymeri, Avzi Mustafa, Ajtene Hajdari-Qamili, Zeqirja Ibrahimi, Berton Sulejmani, Bukurije Mustafa dhe Besnik Emini, të cilët sollën në dritë fakte të reja shkencore lidhur me veprimtarinë gjuhësore 40 vjecare në Maqedoni dhe trojet tjera shqiptare.

Të gjitha kumtesat e lexuara në këtë konferencë shkencore, planifikohet të publikohen në një botim të vecantë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Lajme të ngjashme

Back to top button