Grabitjet në rrugë, pranga 14-vjeçarit që vodhi amerikanin

Grabitjet në rrugë janë shndërruar në një prej problemeve më kryesore të Policisë së Tiranës, pasi çdo ditë regjistrohen me dhjetëra raste vjedhjesh, telefonash dhe kryesisht varësesh. Vetëm pak ditë parë tre persona grabitën një shtetas gjerman, dy ditë më pas një shtetas amerikan ka qenë objektivi i radhës i grabitësve. 

Ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 19:15 pranë parkut Rinia, ku një person i ka vjedhur nga çanta një shtetasi amerikan një telefon iPhone. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se kanë arritur të ndalojnë 14-vjeçarin V.M., pasi ky i fundit tek ish-parku Rinia, i ka vjedhur nga çanta e tij shtetasit amerikan, Cameron Steve Felgate, lindur në Dallas Texas, banues në qendrën “Stefan” një telefon celular të tipit iPhone 4S. 

Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i forcave të policisë, të cilat janë njoftuar në lidhje me ngjarjen dhe kanë arritur të ndalojnë në kohë 14-vjeçarin. Por, ky nuk ka qenë i vetmi rast grabitjeje i një shtetasi të huaj, pasi vetëm pak minuta përpara se të njoftohej vjedhja e shtetasit amerikan, një shtetase angleze ka denoncuar se tek Galeria e Arteve në kryeqytet kanë tentuar t’i vjedhin varësen nga qafa, por fatmirësisht nuk ja kanë arritur qëllimit. 

Edhe në këtë rast, oficerët e Policisë së Tiranës kanë mbërritur në kohë, por ka qenë shtetasja angleze, e cila ka vendosur të mos bëjë kallëzim në polici për këtë ngjarje.

Lajme të ngjashme

Back to top button