28 vjet nga Deklarata Kushtetuese е pavarësisë së Kosovës

Mbushen  28 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim delegatët e Kuvendit të Kosovës, nënshkrues të kësaj deklarate, duke i uruar ata për këtë ditë të rëndësishme, ndërsa vlerësoi kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira.

“Akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, theksoi Veseli.

Udhëheqësi i delegacionit të delegatëve, Iljaz Ramajli, falënderoi Veselin për pritjen tashmë tradicionale për ish-ligjvënësit e Kosovës, duke dhënë kështu mesazhin e përkujdesjes dhe vlerësimit të kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button