Kërçova definitivisht bashkohet më 2013-tën

Nuk do të ketë edhe një shtyrje të afatit për bashkimin e komunave rurale të Zajazit dhe Osllomesë me Kërçovën, kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdulaqim Ademi, në pyetjen nëse partnerët e koalicionit kanë shqyrtuar një mundësi të tillë.

Përgjigja është e shkurtë ‘jo, nuk do të ndodh’ tha Ademi. 

Sipas Ligjit për decentralizim që u miratua në vitin 2004, parashihet që komunës së Kërçovës ti bashkangjiten komunat rurale të Zajazit, Osllomesë dhe Drugovës  si pjesë e reduktimit të numrit të komunave në vend nga 123 në 80-të.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, komunat rurale nuk iu bashkëngjitën komunës së Kërçovës. VMRO dhe BDI, në atë kohë bënë një marrëveshje, në bazë të së cilës bashkimi i Kërçovës u shty për në vitin 2013, dhe në këmbim të kësaj u hapën dy fakultete të USHT-së në Kumanovë.

Sa i përket emrit të mundshëm se kush do të kandidonte për kryetar të komunës së Kërçovës, Ademi tha se në organet e larta të partisë për momentin janë duke u analizuar  raportet e punës së kryetarëve të komunave, dhe në varësi nga rezultatet, do të merret vendim se kush nga ata do të rikandidon.

‘E dini se kemi vendim të këshillit të qendror, të gjithë kryetarët e komunave të dorëzojnë raporte, raportet janë dorëzuar dhe Këshilli i qendror ka caktuar për 23 qershor mbledhje ku do të analizohen të gjitha raportet. Qëllimi është që të analizohet nëse ajo që është premtuar para tre viteve është realizuar, do të kenë mundësi që gjatë muajve të mbetur të vazhdojnë të realizohen, nëse nuk kanë përfunduar, do të shohim se a është realizuar më shumë se që është premtuar, por edhe ngadalë do të fillojmë të përgatisim edhe programin e ri për zgjedhjet lokale’,  tha Ademi./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button