Basha: Bisedimet nuk u hapën, BE-ja e hodhi poshtë Qeverinë e lidhur me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, deklaroi se e vërteta është se Shqipërisë nuk i janë hapur negociatat, prandaj politika dhe qeveria duhet të reflektojnë për të garantuar rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në deklaratën e tij për mediat në selinë e Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se e vërteta është se negociatat nuk janë hapur, por është thënë do hapen në qershor 2019, nëse plotësohen kushtet dhe nëse kjo verifikohet nga vendet anëtare, në disa raste nga parlamentet e tyre dhe nga Këshilli Evropian.

Basha shtoi se Këshilli Europian që mblidhet nesër nuk e shqyrton fare çështjen e hapjes së negociatave.

“Qeveria dhe makina e saj e propagandës kanë zgjedhur të vazhdojnë mashtrimin e shqiptarëve edhe këtë herë duke thënë se janë hapur negociatat. Edhe këtu nuk ka asgjë të re, sepse mashtrimi dhe gënjeshtra janë e vetmja gjë që di të bëjë kjo qeveri”, tha ai.

Më tej Basha shtoi se “mos hapja e negociatave është një lajm i keq, i hidhur dhe një realitet i dhimbshëm për të gjithë shqiptarët dhe për perspektivën europiane të vendit”.

Basha ka theksuar nevojën e reflektimit të politikës dhe të qeverisë për perspektiven evropiane të vendit.

“Në ditët, javët, muajt e ardhshëm do të na duhet që ne të gjithë së bashku të reflektojmë thellë për hapat që duhet të hedhim, për të ndryshuar thellësisht dhe marrë një kthesë themelore në politikë dhe në qeverisje në mënyrë që t’i kthehemi edhe një herë perspektives së sigurt evropiane”, tha Basha.

Mbi të gjitha sot kemi nevojë të kuptojmë disa të vërteta, shtoi Basha duke akuzuar qeverinë për mos përmbushjen e detyrimeve përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në administratë publike dhe reformës zgjedhore.

“Gjuha që përdori Këshilli Evropian konfirmoi dhe një herë se mos hapja e negociatave nuk është refuzim as i shqiptarëve dhe as i perspektivës evropiane të Shqipërisë, përkundrazi siç dhe deklarohet rruga e shqiptarëve në BE është e hapur dhe është plotësisht në dorën tonë të përparojmë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Mos hapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar Shqipërinë nën qeverisjen aktuale. Është refuzim i politikës së kapur nga krimi dhe i ekonomisë së kontrolluar nga parat e drogës dhe të krimit. Ky fakt është bërë i qartë  në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shumë qeveri evropiane, është një qëndrim i prerë dhe i panegociueshëm”, tha Basha.

Po ashtu, Basha shtoi se “mos hapja e negociatave është refuzim i Sajmir Tahirit, Fatmir Xhafajt, i Taulant Ballës, Damjan Gjiknurit, Arben Ahmetajt, i Vangjush Dakos, i Qazim Sejdinit dhe kupolës politike të Partisë Socialiste. Mos hapja e negociatave është refuzim i pushtetit autokratik, refuzim i manipulimit të zgjedhjeve, i kapjes së drejtësisë dhe pushteteve, refuzim i politizimit të administratës publike, refuzim i shkatërrimit të shtetit ligjor”.

“Mos hapja e negociatave është rrëzimi përfundimtare i politikës së fasadave, propagandës gënjeshtrave dhe manipulimit sistematik të opinionit për të fshehur keqqeverisjen, vjedhjen, krimin dhe korrupsionin. Sot është e qartë se në BE nuk hyhet duke mashtruar”, tha Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button